Shtatë klube fituan më shumë se 100 milionë euro në Ligën e Kampionëve këtë sezon

01 qershor 2026 | 14:30

Liga e Kampionëve, gara më prestigjioze e klubeve në botë është mbyllur zyrtarisht dje me triumfin e Paris Saint-Germainit në finalen e madhe ndaj Arsenalit.

Pas një ndeshjeje të fortë dhe të baraspeshuar, fituesi është përcaktuar nga gjuajtjet e penalltive, ku “Shenjtorët” janë treguar më të saktë dhe fituan 4-3, për ta kurorëzuar sezonin me trofe.

Përveç lavdisë sportive, ky edicion ka sjell edhe përfitime të mëdha financiare, ndërsa logjikisht më së shumti arkëtuan klubet që shkuan më larg në garë.

Finalistët ishin edhe “fituesit” kryesorë në aspektin e të ardhurave. PSG-ja ka mbledhur gjithsej 145.9 milionë euro, ndërsa Arsenali ka përfituar 143.2 milionë euro, shifra që pasqyrojnë rrugëtimin e gjatë deri në finale dhe bonuset e performancës. Pas tyre vijnë klubet që janë ndalur në fazat e avancuara, por sërish kanë siguruar shuma të konsiderueshme nga UEFA.

Bayern Munich është renditur i treti me 127.3 milionë euro, ndërsa Liverpooli ka arkëtuar 109.5 milionë euro. Më pas janë Atletico Madridi me 104.2 milionë euro dhe Real Madridi me 102.6 milionë euro, ndërsa lista e klubeve me përfitimin më të lartë në këtë edicion, sipas këtyre shifrave, përmbyllet me Barcelonën që ka fituar 100.3 milionë euro.

Këto të ardhura përfshijnë shpërblimet për pjesëmarrje, rezultatet dhe kualifikimet në fazat e ndryshme të turneut, duke dëshmuar edhe një herë se Liga e Kampionëve nuk është vetëm trofe prestigji, por edhe burimi më i madh financiar në futbollin e klubeve, ku çdo hap i kaluar në garë rrit ndjeshëm arkëtimet sezonale.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në serinë…