Zgjedhje të reja, programe të vjetra politike: Kush po e mashtron ekonominë e Kosovës?

01 qershor 2026 | 14:52

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka theksuar se Kosova po hyn në një tjetër proces zgjedhor, por fatkeqësisht me të njëjtat premtime, të njëjtat programe të ricikluara dhe të njëjtën mungesë vizioni për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai ka thënë se shumica e partive politike po kërkojnë votën e qytetarëve pa u ofruar atyre një plan të qartë se si do të rritet prodhimi, eksporti, investimet dhe punësimi.

“Po dëgjojmë premtime milionëshe e miliardëshe, por nuk po dëgjojmë asnjë shpjegim se ku do të gjenden paratë, kush do t’i financojë ato dhe si do të realizohen. Kjo nuk është garë programesh, por garë premtimesh pa mbulesë. Më shqetësuese është se ekonomia, sektori privat, prodhuesit dhe eksportuesit pothuajse nuk ekzistojnë në debatin politik. Asnjë vizion serioz për industrinë, asnjë strategji për eksportet, asnjë plan për të ndalur largimin e fuqisë punëtore dhe asnjë platformë të qartë për tërheqjen e investimeve të huaja. Pas më shumë se 26 vitesh liri dhe mbi 18 vite shtet, është e papranueshme që partitë politike ende të mos kenë një projekt kombëtar ekonomik për Kosovën. Një vend nuk zhvillohet me slogane, por me fabrika; nuk forcohet me propagandë, por me investime; nuk ecën përpara me premtime, por me rezultate”, ka thënë Shahini, duke shtuar se qytetarët duhet t’i pyesin të gjithë kandidatët: Çfarë do të prodhoni? Çfarë do të eksportoni? Sa vende pune do të hapni? Sa investime do të sillni? Dhe si do ta bëni Kosovën më konkurruese dhe më të respektuar në botë?

“Kosova nuk ka nevojë për politikë që flet shumë dhe prodhon pak. Kosova ka nevojë për lidership që premton më pak, por realizon më shumë”, ka thënë Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet  Muriq, ka vendosur se…