Uran Ismaili rikthen letrat në Prishtinë: Kërkon besimin për ta ndalur krizën dhe për ta ndryshuar Kosovën (video)
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për deputet me numrin 2, Uran Ismaili, ka rikthyer një nga format më të veçanta të komunikimit me qytetarët e Prishtinës, letrën e drejtpërdrejtë.
Pas fushatës lokale, e cila u vlerësua për qasjen kreative dhe të afërt, Ismaili edhe këtë herë u është drejtuar qytetarëve të Prishtinës përmes një letre, duke kërkuar mbështetjen e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.
Në letrën e tij, Ismaili kujton besimin e madh që kishte marrë në Prishtinë, ku PDK doli forcë e dytë në kryeqytet, duke thënë se projektet për Prishtinën dhe mirëqenia e qytetarëve do të mbeten prioritet i tij politik.
Ai ka thënë se Kosova sot po përballet me një krizë që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e secilit, nga çmimet e larta e pagat e pamjaftueshme, deri te gjendja në shëndetësi dhe arsim.
“Projekte vitale për Prishtinën, siç janë Unaza e Jashtme, apo Spitali i Prishtinës, tash e sa vite kanë mbetur peng i kokëfortësisë dhe inateve politike, ndërsa faturën në fund po e paguajmë të gjithë ne, qytetarët e këtij vendi. Këtë nuk mund ta lejojmë”, thuhet në letrën e Ismailit.

Ismaili ka kërkuar mbështetje për PDK-në, Bedri Hamzën, kandidaturën e tij si dhe të kandidatëve të tjerë për deputet nga qyteti i Prishtinës, duke thënë se Kosovës i duhet një politikë që bashkon, merret me problemet e përditshme dhe ka strategji të qartë për uljen e çmimeve, rritjen e pagave, përmirësimin e shëndetësisë, arsimit dhe zhvillimin ekonomik.
“Më 7 qershor, ju ftoj ta përkrahni Partinë Demokratike të Kosovës me numër 125, Bedri Hamzën me numër 1, dhe mua me numër 2. Me mbështetjen tuaj, do ta ndalim krizën, dhe do ta kthejmë Kosovën në një shtet funksional i cili është në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Ismaili.
Video e plotë:



