Telekomi sqaron opinionin publik: Fitimi i Telekomit të Kosovës nuk rrjedh nga kreditë e marra për investime
Sqarim publik nga Telekomi i Kosovës:
Lidhur me deklaratat publike të bëra së fundmi, në fushatë, në të cilat, qoftë nga mosdija apo me tendencë, janë paraqitur interpretime të pasakta lidhur me rezultatet financiare të Telekomit të Kosovës, e konsiderojmë të nevojshme të sqarojmë opinionin publik, klientët dhe partnerët tanë, me fakte të verifikueshme dhe të bazuara në standardet e raportimit financiar.
Është e pasaktë të interpretohet se fitimi i Telekomit të Kosovës buron nga kreditë e marra për investime. Sipas parimeve bazë të kontabilitetit dhe raportimit financiar, kreditë nuk paraqesin të hyra dhe nuk përfshihen në llogaritjen e fitimit të kompanisë. Ato regjistrohen si detyrime financiare dhe shlyhen sipas kushteve të kontraktuara.
Telekomi i Kosovës tashmë ka kaluar një gjendje të rëndë financiare, e krijuar gjatë shumë viteve, e cila kishte kufizuar seriozisht mundësitë për investime në rrjet dhe shërbime. Për pasojë, cilësia e shërbimeve ishte degraduar, të hyrat kishin rënë vazhdimisht dhe kompania ishte përballur me sfida serioze për qëndrueshmërinë e saj.
Për ta ndryshuar këtë situatë, menaxhmenti i kompanisë ka ndërmarrë reforma të thella, duke përfshirë racionalizimin e shpenzimeve dhe realizimin e investimeve të domosdoshme teknologjike. Për financimin e këtyre investimeve, Telekomi i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë lidhur marrëveshje kredie me kushte dhe norma interesi sipas kushteve të tregut.
Rezultatet e këtyre reformave janë të dukshme. Pas realizimit të investimeve, performanca e kompanisë ka filluar të përmirësohet vazhdimisht. Telekomi i Kosovës tashmë operon me fitim, përmbush me rregull obligimet e veta financiare, përfshirë kthimin e kredive dhe pagesën e interesit, si dhe vazhdon të realizojë investime të reja nga të ardhurat dhe fitimet e gjeneruara nga aktiviteti i tij biznesor.
Telekomi i Kosovës mbetet i përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit të drejtë të publikut. Për këtë arsye, ftojmë të gjithë akterët publikë që diskutimet mbi gjendjen financiare të kompanisë t’i bazojnë në raporte zyrtare, fakte të verifikueshme dhe standarde profesionale. Kjo i shërben informimit të saktë të publikut dhe shmang krijimin e paqartësive te klientët, partnerët dhe publiku i gjerë, si dhe përhapjen e perceptimeve të pasakta që mund të dëmtojnë imazhin e ndërmarrjes publike.



