Oscar rrëfehet për arrestin kardiak: Dëgjova vetëm zërin e djalit tim që më thoshte të kthehesha

03 qershor 2026 | 14:03

Ish-mesfushori i Brazilit dhe Chelseat, Oscar, ka folur për herë të parë rreth momentit dramatik kur pësoi arrest kardiak gjatë një seance stërvitore me Sao Paulon në nëntor të vitit 2025.

Futbollisti 34-vjeçar ishte klinikisht i vdekur për më shumë se dy minuta, përpara se stafi mjekësor të arrinte ta rikthente në jetë.

Në një intervistë për “The Times”, ai rrëfeu kujtimin më të fortë nga ajo përvojë pranë vdekjes.

“E mbaj mend vetëm zërin e djalit tim që më thoshte: ‘Babi, duhet të kthehesh. Babi, duhet të kthehesh’”, tregoi Oscar.

Braziliani i përshkroi gjithashtu ndjesitë që i përjetoi në momentet kur zemra e tij kishte ndaluar së rrahuri.

“Ishte si një ëndërr, por ndryshe nga çdo ëndërr tjetër. Gjithmonë kisha dëgjuar se kur je pranë vdekjes e sheh veten. Unë nuk e pashë veten, por e pashë një ëndërr të mrekullueshme, ku gjithçka ishte perfekte”, u shpreh ai.

Presioni i gjakut i Oscarit ra papritur gjatë stërvitjes, duke shkaktuar arrestin kardiak.

Mjekët ndërhynë menjëherë me procedurat e reanimimit, ndërsa më pas ai u transportua në kujdes intensiv, ku qëndroi i shtruar deri më 16 nëntor.

Pas trajtimit dhe një ndërhyrjeje të specializuar në zemër, ai arriti të rikuperohej.

Megjithatë, mjekët e këshilluan të mos e vazhdonte më futbollin në nivel të lartë dhe pak kohë më vonë Oscar vendosi t’i japë fund karrierës së tij profesionale.

Gjatë karrierës së tij, Oscar luajti 203 ndeshje me Chelsean, duke i fituar dy tituj të Premierligës, një Europa League dhe një Kupë të Ligës.

Me Kombëtaren e Brazilit i regjistroi 48 paraqitje dhe 12 gola, ndërsa ishte pjesë edhe e Botërorit 2014.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Dardan Sejdiu Ka vende që zhbëhen me grusht shteti.…