Takimi Kurti-Costa, Qeveria: Kosova, e gatshme për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të mërkurën në takim presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Tivat.
Gjatë takimit, Kurti ka theksuar përkushtimin e qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
“Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Sipas këtij njoftimi, Kurti ka theksuar se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon.
Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.
Kurti ka falënderuar presidentin Costa për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve.
Kjo ishte vizita e dytë e presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.



