Nisin punimet e Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, të organizuar nga BQK
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) hapi punimet e Konferencës Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, i cili po mbahet në Prishtinë më 3 dhe 4 qershor 2026.
Ky organizim i nivelit të lartë mbledh përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore të rajonit, drejtues të institucioneve financiare, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të komunitetit akademik, sektorit financiar dhe ekspertë të fushës së financave digjitale.
Konferenca përkon me vizitën e parë në Kosovë të Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar i FMN-së dhe drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, i cili merr pjesë në disa sesione të agjendës dyditore, përfshirë fjalimin kryesor, diskutimet me bankat qendrore të rajonit, takimin me sektorin financiar vendor dhe ligjëratën publike.
Duke hapur punimet e Konferencës, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, theksoi se zhvillimet e shpejta teknologjike, përfshirë kripto-asetet, format digjitale të parasë, financat e decentralizuara, inteligjencën artificiale dhe sistemet moderne të pagesave, po ndikojnë në mënyrë të thellë në funksionimin e sektorit financiar global.
Ai nënvizoi se këto zhvillime tashmë janë pjesë e agjendës strategjike të bankave qendrore, rregullatorëve dhe industrisë financiare, duke krijuar mundësi për rritjen e efikasitetit, gjithëpërfshirjes financiare, transparencës dhe uljen e kostove të shërbimeve financiare.
Njëkohësisht, guvernatori Ismaili theksoi se këto zhvillime sjellin edhe sfida të rëndësishme për stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve, integritetin e tregjeve, parandalimin e pastrimit të parave dhe ruajtjen e besimit në sistemin financiar.
Në këtë kontekst, guvernatori Ismaili theksoi se për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat karakterizohen nga ekonomi të hapura, ndërlidhje të ngushta financiare dhe flukse të rëndësishme të remitancave, financat digjitale paraqesin një mundësi të rëndësishme për avancimin e integrimit rajonal, modernizimin e shërbimeve financiare dhe përafrimin me tregun financiar evropian.
Ai veçoi progresin e Kosovës në modernizimin e infrastrukturës së pagesave, avancimin e pagesave të shpejta dhe procesin e integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, si pjesë e përpjekjeve të BQK-së për të ofruar shërbime më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.
Guvernatori Ismaili theksoi se inovacioni financiar duhet të mbështetet nga korniza të qarta, proporcionale dhe të bazuara në rrezik, të cilat mundësojnë zhvillimin e teknologjisë, por njëkohësisht ruajnë stabilitetin financiar, mbrojnë konsumatorët dhe forcojnë integritetin e tregut.
Në përfundim të fjalës së tij, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar, veçanërisht me Departamentin e Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, i cili ka dhënë kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, modernizimin e sektorit financiar dhe avancimin e reformave në Kosovë.
Në fjalimin e tij kryesor, Tobias Adrian, krye-Këshilltar Financiar i FMN-së dhe drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, derisa prezantoi zhvillimet kryesore globale, theksoi rëndësinë e ndërtimit të kornizave të qëndrueshme të politikave dhe rregullimit te harmonizuar për të adresuar mundësitë dhe rreziqet që sjell transformimi digjital i financave, duke ruajtur stabilitetin financiar, integritetin e tregjeve dhe besimin publik.
Një fjalë mirëseardhjeje për të pranishmit mbajti edhe Ministri në detyrë i Financave, z. Hekuran Murati, i cili paraqiti pikëpamjet mbi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, politikave ekonomike dhe krijimit të kushteve për zhvillim, inovacion dhe stabilitet makroekonomik.
Punimet e Konferencës do të vijojnë me prezantime dhe diskutime profesionale nga bankat qendrore të rajonit, përfaqësuesit e FMN-së, sektori financiar dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në ditën e dytë të agjendës parashihet edhe një takim me palët vendore të sektorit financiar, prezantimi i Raportit Global të Stabilitetit Financiar të FMN-së, si dhe një diskutim publik ndërmjet Guvernatorit Ismaili dhe Tobias Adrian në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës.



