Qytetarët malazezë përballen me vonesa në hyrje në Serbi

04 qershor 2026 | 08:09

Sipas informacioneve nga disa burime të lidhura me sektorin e sigurisë malazeze, qytetarët malazezë dyshohet se po përballen me vështirësi gjatë hyrjes në Serbi, pasi autoritetet malazeze larguan më shumë se 80 qytetarë serbë nga aeroporti i Tivatit për shkak të vlerësimeve se ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Sipas të njëjtave burime, që nga ora 19:30 e mbrëmjes së djeshme në pikat kufitare Gostun, Jabuka dhe Draçenovac, të cilat janë nën juridiksionin e policisë serbe, asnjë qytetar malazez nuk ka hyrë në Serbi.

Një bashkëbisedues i gazetës malazeze Vijesti, i njohur me situatën, pohon se përfaqësuesit e policisë serbe u kanë përcjellë kolegëve të tyre malazezë se kjo është një masë e përkohshme që duhet të zgjasë një periudhë të shkurtër kohore.

Nga ana tjetër, policia malazeze vazhdon të kryejë kontrolle të përforcuara sigurie, por hyrja në vend u lejohet ende të gjithë personave që nuk paraqesin rrezik sigurie, raporton Vijesti. Megjithatë, sipas informacioneve të disponueshme, policia serbe ka rritur gjithashtu praninë e saj në pikat kufitare që nga orët e mbrëmjes dhe po kryen kontrolle të detajuara kryesisht mbi qytetarët e Malit të Zi, prandaj pikat kufitare janë ngadalësuar ndjeshëm.

Burime policore kanë deklaruar jozyrtarisht se vonesa më të mëdha po regjistrohen në hyrje të Serbisë nga Mali i Zi pikërisht për shkak të kontrolleve të gjera që kryen policia kufitare serbe.

Qytetarëve u këshillohet që të monitorojnë situatën në pikat kufitare nëpërmjet kamerave të disponueshme në faqet zyrtare të internetit të institucioneve kompetente para se të udhëtojnë, ndërsa për informacion zyrtar rekomandohet të kontaktohet Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. /Vijesti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbolli i Kosovës është tronditur nga lajmi për ndarjen nga…