Hiqet tabela e Zoran Gjingjiqit, s’është më në të njëjtën shtyllë me emrin e Isa Boletinit
04 qershor 2026
| 11:55
Tabela me emrin e Zoran Gjingjiqit, e cila u vendos dje në veri të Mitrovicës pranë tabelës me emrin Isa Boletini, është zhvendosur këtë mëngjes nga vendi i saj në rrethrrotullimin në hyrje të qytetit.
Tabelat me emrat e rinj të rrugëve u vendosën dje nga ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
Ndërsa sot, siç raporton media lokale në gjuhën serbe “Kossev”, tabela me emrin e ish-kryeministrit të Serbisë nuk gjendet aty ku ishte vendosur një ditë më parë.
Nuk dihet se kush e ka hequr tabelën, por për vendosjen e saj ka pasur reagime të shumta në Kosovë, duke kundërshtuar një veprim të tillë.



