Ish-luftëtari i UÇK-së thirrje qytetarëve: Mos votoni me emocione, por me vizion
Ish-luftëtari i UÇK-së, Driton Kabashi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi në vendimmarrjen e tyre politike, duke vlerësuar me kujdes programet dhe veprimet e subjekteve politike për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Kabashi theksoi se Kosova po kalon një periudhë vendimtare për të ardhmen e saj politike, ekonomike dhe kombëtare, duke nënvizuar se sfidat aktuale kërkojnë unitet dhe ruajtje të partneriteteve strategjike me aleatët ndërkombëtarë.
Sipas tij, vendi ka nevojë për politika që forcojnë raportet me miqtë perëndimorë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët euroatlantikë, duke shmangur përplasjet që mund të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Kabashi shprehu gjithashtu shqetësime lidhur me disa zhvillime ligjore dhe institucionale, të cilat, sipas tij, mund të kenë ndikim afatgjatë në identitetin shtetëror, sigurinë kombëtare dhe strukturën demografike të vendit. Ai kërkoi transparencë të plotë dhe vendimmarrje të kujdesshme në trajtimin e këtyre çështjeve.
Në deklaratën e tij, ai vlerësoi se disa politika të ndjekura nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj mund ta largojnë Kosovën nga aleatët tradicionalë perëndimorë, duke rikujtuar rolin vendimtar që SHBA-ja dhe vendet perëndimore kanë pasur në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
“Shpreh shqetësimet e mia, si dhe të një pjese të shoqërisë sonë, lidhur me ndryshimet ligjore dhe institucionale që mund të kenë pasoja afatgjata për identitetin shtetëror, sigurinë kombëtare dhe strukturën demografike të vendit. Këto çështje kërkojnë transparencë të plotë dhe vendimmarrje të kujdesshme, duke pasur gjithmonë në qendër interesin kombëtar. Po ashtu, ekziston shqetësimi se disa politika të ndjekura nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj mund ta largojnë Kosovën nga aleatët e saj tradicionalë perëndimorë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët euroatlantikë. Historia e Kosovës dëshmon se pa mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve perëndimore, rruga drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit do të kishte qenë shumë më e vështirë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Kabashi ka bërë thirrje që mos votoni mbi bazën e emocioneve apo propagandës, por mbi bazën e interesit afatgjatë të Kosovës, të familjeve tona dhe të ardhmes së fëmijëve tanë.
Ai përfundoi mesazhin e tij me një thirrje për qytetarët në Kosovë dhe diasporë që të votojnë me përgjegjësi, maturi dhe vizion për një Kosovë më të fortë, më të sigurt dhe më të respektuar në botë.
“Kosova ka nevojë për një udhëheqje që ruan orientimin e saj perëndimor, forcon lidhjet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, promovon zhvillimin ekonomik dhe garanton sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Vëllezër dhe motra, ju që jetoni në diasporë dhe ju që jetoni në Kosovë, E ardhmja e Kosovës është në duart tona. Le të votojmë me përgjegjësi, maturi dhe vizion për një Kosovë më të fortë, më të sigurt dhe më të respektuar në botë”, ka thënë Kabashi.



