Zgjedhjet e 7 qershorit, nesër votohet në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës
Nesër (e shtunë) do të hapën dyert e 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës për të votuar të gjithë qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për votim jashtë vendit.
Saktësisht në orën 07:00 të mëngjesit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara dhe konsullata në Stamboll do të jenë përfaqësitë e para diplomatike që do të hapin dyert për të pritur për votim 182 votuesit e regjistruar paraprakisht.
Pas Turqisë, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë në 15 shtetet e Evropës, ku janë regjistruar 26 230 votuesit tjerë, si: Gjermani (13 319), Zvicër (5 078), Mbretëri e Bashkuar (1,395), Belgjikë (1 268), Francë (1,187), Austri (1 125), Slloveni (717), Norvegji (691), Itali (338), Suedi (280), Danimarkë (260), Holandë (174), Kroaci (171), Hungari (134) dhe Republika Çeke (93).
Hapi final i këtij procesi do të zhvillohet përtej Atlantikut. Për 1 312 votuesit që jetojnë në ShBA dhe Kanada, qendrat e votimit do të jenë të hapura në katër qendra të mëdha: Uashington, Nju Jork, Otavë dhe Toronto. /KP



