Perparim Rama: Pas 6 vitesh pushtet, Qeveria Kurti pret shiritat e projekteve të Prishtinës
“Ministri paska prerë shiritin e një rruge lokale që është projektuar, menaxhuar dhe kontraktuar nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me operatorin ekonomik.
Në mungesë të projekteve të veta për t’i promovuar, Qeveria ka zgjedhur të bëjë spektakël politik me një projekt që i takon Kryeqytetit. Ministria në këtë rast është vetëm bashkëfinancuese, madje me një pjesëmarrje financiare më të vogël se ajo e Komunës.
Struktura e financimit është si vijon:
• Komuna e Prishtinës: 1,650,000 euro
• Ministria: 1,500,000 euro (të planifikuara për vitet 2024, 2025 dhe 2026)
Pra, Kryeqyteti është investitori dhe bartësi kryesor i përgjegjësisë për realizimin e këtij projekti.
Madje, deri më tani Ministria ka realizuar vetëm rreth 600,000 euro pagesa për vitet 2024–2025, ndërsa për vitin 2026 nuk ka paguar ende asnjë euro.
Faktet janë të qarta: kontrata është e Komunës së Prishtinës, investitori kryesor është Komuna dhe përgjegjësia për realizimin e projektit i takon Komunës së Prishtinës.
Pas gjashtë vitesh në pushtet, kur bilanci i investimeve kapitale vazhdon të lidhet me “Vadën e Lupçit”, nuk është çudi që zyrtarët qeveritarë zbresin në Prishtinë për të prerë shiritat e projekteve komunale.
Të nderuar ministra, nëse ju pëlqen kaq shumë prerja e shiritave, na njoftoni. Ju ftojmë me kënaqësi në përurimet e ardhshme të projekteve që i realizon Kryeqyteti.”




