KQZ: 80.85% e të regjistruarve votuan në përfaqësi diplomatike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në votimin jashtë vendit, i organizuar në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, deri në orën 19:00 kanë votuar 80.85 për qind e votuesve të regjistruar.
Në konferencën e tretë dhe të fundit për këtë proces, KQZ njoftoi se sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike ku votimi tashmë është mbyllur, si dhe sipas të dhënave deri në orën 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga gjithsej 27,724 votues të regjistruar kanë votuar 22,414 votues, që përbën 80.85%.
KQZ po ashtu bëri të ditur se deri në orën 20:00 votimi ka përfunduar në 26 nga 30 përfaqësitë diplomatike, ndërsa në katër përfaqësitë e mbetura në ShBA dhe Kanada, votimi pritet të mbyllet në ora 01:00 të së dielës, sipas kohës lokale në Kosovë.
Sipas KQZ-së, procesi është zhvilluar pa pengesa, ndërsa u shpreh falënderim për shefat dhe stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e këshillave të vendvotimeve për angazhimin gjatë ditës së votimit.



