12 persona qëllohen me armë në një festival në ShBA
Të paktën 12 persona janë qëlluar me armë në një festival komunitar në shtetin amerikan Ohio, në atë që policia beson se ka qenë një shkëmbim zjarri mes disa personave.
Oficerët janë ende në kërkim të të dyshuarve, ndërsa dy nga viktimat raportohet se janë në gjendje kritike pas incidentit në Toledo. Zëvendësshefi i policisë së qytetit, Joe Heffernan, tha se të paktën dy persona ishin të përfshirë dhe “me shumë gjasë po qëllonin njëri-tjetrin” gjatë incidentit të së shtunës.
Video në rrjetet sociale tregonin njerëz duke vrapuar për t’u strehuar dhe shërbime emergjente që po u jepnin ndihmë viktimave në vendngjarje, raporton skynews – transmeton Sinjali.
Kevin Berry tha se po dëgjonte muzikë live në Agnes Reynolds Jackson Arboretum kur u dëgjuan të shtënat dhe “të gjithë u shtrinë përtokë”.
Ai pa një armë që u hodh në tokë ndërsa policia mbërriti me shpejtësi dhe përshkroi të paktën pesë persona me plagë nga plumbat “të shpërndarë rreth zonës së arboretumit”.
Shefja e zjarrfikësve të Toledos, Allison Armstrong, tha për gazetarët se ishte “një skenë e madhe” me “më shumë se një duzinë të plagosurish”.



