Arrestohen dy zyrtarë të strukturave paralele serbe në Pejë, dyshohen për vepra penale që lidhen me zgjedhjet

07 qershor 2026 | 18:31

Policia e Kosovës ka arrestuar Millosh Dimitrijeviqin dhe Ranko Zdravkoviqin, nën dyshimin për vepra penale që lidhen me cenimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm në të drejtën e votës së qytetarëve.

Millosh Dimitrijeviq njihet si ish-kryetar i të ashtuquajturave “organe të përkohshme”, respektivisht i komunës paralele serbe në Pejë.

Ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe konsiderohet si një nga figurat me ndikim në komunitetin serb në komunën e Pejës. Dimitrijeviq është gjithashtu babai i Darko Dimitrijeviqit, drejtor i Radio Gorazhdecit. Sipas burimeve të KosovaPress, Dimitrijeviq ka mbajtur lidhje të afërta me përfaqësues politikë në Serbi dhe Republikën Srpska, përfshirë ish-ministrin serb të Arsimit, Branko Ruzhiq, si dhe ministren aktuale Snezana Paunoviq.

Ai ka marrë pjesë edhe në takime të mekanizmave konsultativë për komunitete në Komunën e Pejës, ndonëse në vazhdimësi është identifikuar si përkrahës i strukturave paralele serbe. Ndërkohë, Ranko Zdravkoviq është ish-anëtar i bordit menaxhues të komunës paralele të Pejës dhe kryetar i SPS-së për komunën e Pejës. Aktualisht ai ushtron funksionin e anëtarit të Këshillit Lokal për Siguri në Bashkësi (KLSB) në Gorazhdec.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të nacionalitetit serb, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

“Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, me datë 07.06.2026, ka pranuar njё informacion, që ndërlidhet me dyshimet për aktivitete të kundërligjshme, me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, i cili dyshohet se ka ndodhur konkretisht në fshatin Gorazhdec-Pejë, për të orientuar, ndikuar te qytetarët që të votojnë Listën Serbe. Ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve, andaj bazuar në këtë njësitë relevante policore sot, kanë ndërmarr veprime konkrete, ku kanë kryer bastisje dhe hasur dy persona meshkuj kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rast, të njëjtit janë arrestuar dhe janё intervistuar nga hetuesit rajonal”.

“Të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin janё ndёrmarrё në bashkëpunim dhe koordinim me organet kompetente të drejtësisë, ndёrsa tё dyshuarit me vendim tё prokurorit tё shtetit janё ndaluar pёr 48-orё. Veprimet policore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dëshmojnë përpjekjet aktive dhe vendosmërinë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MABCO Constructions SA kallëzon në SPAK gjyqtaren që bllokoi ndryshimin…