‘LV me rënie në përqindje në të gjitha komunat, LDK-ja dhe AAK-ja me rritje, PDK-ja mbetet stabile’
Eugen Cakolli nga KDI, ka publikuar një analizë krahasuese të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të fundit me ato të 28 dhjetorit 2025, duke theksuar ndryshime të dukshme në përqindjet e subjekteve politike në nivel komunal.
Sipas tij, përveç dallimeve në numrin e përgjithshëm të votave si pasojë e daljes më të ulët në zgjedhje, të dhënat tregojnë lëvizje interesante në nivel komunash.
“Përveç dallimeve në numrin e përgjithshëm të votave, që normalisht reflektojnë daljen dukshëm më të ulët në zgjedhjet e djeshme, rezultatet në nivel komune tregojnë edhe disa lëvizje interesante në përqindjet e subjekteve politike. Nëse krahasohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve të djeshme me ato të 28 dhjetorit 2025, sipas tabelës së mëposhtme, dalin disa gjetje interesante: – LVV ka pësuar rënie në përqindje në secilën prej 38 komunave të Kosovës. Ndonëse mbetet partia e parë në shumicën e tyre (31 sosh), rënia është evidente – duke humbur edhe primatin në tri komuna. Rëniet më të theksuara, LVV i ka në Suharekë (-14.54 pikë përqindje), Mamushë (-14.07), Junik (-10.30) dhe Rahovec (-10.23). – LDK ka shënuar rritje në përqindje në 35 komuna. Rritjet më të mëdha, LDK i ka në Istog (+10.6 pikë përqindje), Malishevë (+9.2), Junik (+8.6), Suharekë (+8.2) dhe Rahovec (+7.7). – PDK duket më stabile, dhe për dallim nga partitë tjera, lëvizjet në shumicën e komunave i ka relativisht të vogla. PDK ka shënuar rënie në 21 komuna, ndërsa në 16 të tjera ka shënuar rritje. PDK ka shënuar rritjen më të madhe në komunën e Malishevës me rreth 22 pikë përqindje – që është lëvizja më e madhe komunale e evidentuar në këto zgjedhje. – AAK ka rritur përqindjen e votave në 30 komuna, ndonëse në shumicën prej tyre në përqindje simbolike. Rritjet më të mëdha, AAK i ka shënuar në Suharekë (+9.2 pikë përqindje), Deçan (+7.6), Rahovec (+6.5), Junik (+6.2) dhe Gjakovë (+4.5)”, ka shkruar Cakolli.



