Përparim Rama: Në Prishtinë po ngritët memoriali përkujtimor ‘Adem Jashari’
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se janë shpallur projektet fituese për memorialin përkujtimor “Adem Jashari”.
Rama ka thënë se në Prishtinë “do të kumbojë përgjithmonë” zëri i Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së.
“Në zemër të Kosovës, në Prishtinë, do të kumbojë përgjithmonë zëri i komandantit legjendar Adem Jashari!”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ramës:
NË ZEMËR TË KOSOVËS, NË PRISHTINË, DO TË KUMBOJË PËRGJITHMONË ZËRI I KOMANDANTIT LEGJENDAR ADEM JASHARI!
Janë shpallur projektet fituese për “Memorialin Përkujtimor Adem Jashari”. Koncepti i vendit të parë, i përzgjedhur nga komisioni profesional vlerësues, do të marrë jetë në kryeqytetin e Kosovës, duke bartur me vete peshën e jashtëzakonshme kombëtare, historike dhe emocionale që përfaqëson figura e Komandantit Legjendar dhe familja historike Jashari.
Memoriali “Zâni i Lirisë”, është vala e zërit që sfidoi frikën, pushtimin dhe vdekjen, për t’i dhënë Kosovës të drejtën të jetojë e lirë.
I frymëzuar nga fjalët e pavdekshme të Adem Jasharit: “Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë”, ky memorial e shndërron zërin e tij në një simbol të përjetshëm të lirisë, që do të jehojë në kohë dhe në hapësirë. Sepse ka zëra që nuk shuhen kurrë. Ata jetojnë në kujtesën e një kombi dhe në zemrën e një shteti të lirë.



