Hamza: PDK-ja para zgjedhjeve të brendshme, për pak javë presim vendimin në Hagë. Kthimi i liderëve të UÇK-së do të ishte ndryshim shumë i madh

08 qershor 2026 | 15:51

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të mbajë zgjedhje të brendshme, ka paralajmëruar kryetari Bedri Hamza në një konferencë për media, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Hamza ka thënë se PDK-në tani e presin “dy procese të rëndësishme”. Fillimisht foli për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme. Ky proces i brendshëm zgjedhor, ai tha se “veçse ka filluar dhe do të vazhdojë dhe do të përfundojë në mënyrë të përgatitur dhe serioze”.

Pavarësisht se, siç ka thënë, ka “mandat të plotë” si kryetar i partisë, ai tha se gara do të jetë “e hapur” edhe për këtë pozitë”.

“Megjithatë në këtë proces zgjedhor gara do të jetë e hapur në të gjitha nivelet, prej nëndegëve, degëve, për Kuvendin, për Këshillin Drejtues dhe për kryetarin. Do me thënë edhe për postin e kryetarit do të jetë një garë e hapur”, ka thënë ai.

Procesi tjetër i rëndësishëm për PDK-në, Hamza ka thënë se do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë, në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dy ish-kryetarët e partisë, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ai ka thënë se presin që vendimi të shpallet “për pak javë”, ndërsa shtoi se presin gjithashtu që ai të jetë “lirues”.

“Presim që të jetë një vendim lirues, përndryshe, kish me qenë e vështirë t’i thuhej drejtësi kësaj. Nuk ka asnjë arsye që vendimi të mos jetë lirues”, ka thënë ai.

Kthimi i ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë do të ishte “ndryshim shumë i madh” për PDK-në, ka thënë Hamza.

“Kthimi i tyre, edhe për Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë një ndryshim shumë i madh”.

“Unë nuk po paragjykoj nëse ata do të jenë pjesë e politikës apo jo. Është në të drejtën e tyre, në autoritetin e tyre, mirëpo megjithatë presim që ky vendim të jetë i drejtë”, ka thënë Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka…