Kandidatja për deputete e Listës Serbe, Radosavleviq, përpiqet t’i dezinformojë parlamentarët zviceranë në Bern

10 qershor 2026 | 08:23

Jovana Radosavleviq e ka drejtuar një organizatë joqeveritare në veri të Kosovës. Organizata quhet “New Sociale Initiative”.

Si e tillë ajo ka qenë e ftuar edhe në Prishtinë në aktivitete të organizatave të shoqërisë civile. Në zgjedhjet e fundit parlamentare Radosavleviq ka kandiduar për Listën Serbe për Kuvendin e Kosovës, një parti e kontrolluar direkt nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit.

Në një fjalim të zjarrtë të mbajtur në Leposaviq gjatë fushatës elektorale, në të cilin ajo me asnjë fjalë nuk e përmend shtetin e Kosovës, as shqiptarët, por vetëm thotë se “nuk duhet të lejojmë që për neve të vendosin të tjerët”, Jovana Radosavleviq apelon që Lista Serbe patjetër të fitojë 10 mandatet që, sipas saj, i takojnë Listës Serbe. Kësisoj ajo angazhohet për bllokimin e çdo pluralizmi mes komunitetit serb në Kosovë.

Këto ditë Jovana Radosavleviq, e mbështetur nga Ambasada e Serbisë në Zvicër dhe ambasadori serb në Bern, Ivan Trifunoviq, një lobist shumëvjeçar serb në SHBA, takoi disa parlamentarë zviceranë, me ç’rast ajo, sipas një postimi në profilin e saj në Facebook, njoftoi “parlamentarët zviceranë për pozitën e vështirë të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”.

Radosavleviq u ankua për “presionin e vazhdueshëm institucional ndaj të cilit janë të ekspozuar serbët, sfidat serioze të sigurisë, mbylljen e institucioneve dhe refuzimin e formimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, si dhe përpjekjet shqetësuese për fshirjen e identitetit serb përmes kontestimit të simboleve kombëtare, riemërimit të rrugëve dhe presioneve ndaj Kishës Ortodokse Serbe”.

Radosavleviq me gjasë mbylljen e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë e konsideron si padrejtësi.

Ngjashëm si propagandistët më të mëdhenj serbë edhe Radosavleviq qeverinë legjitime të Kosovës e quajti “regjim”, ndërsa vetë ajo kandidon për një parti që dirigjohet nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit.

Ndërsa kërkoi themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, Radosavleviq nuk përmendi me asnjë fjalë refuzimin e Serbisë për të nënshkruar marrëveshje obliguese me Kosovën.

Ambasada e Serbisë në Bern nuk e prezantoi Jovana Radosavleviqin si politikane të Listës Serbe, por tentoi të krijojë përshtypjen se bëhej fjalë për aktiviste të shoqërisë civile. Duke e heshtur faktin se ajo kandidon për Listën Serbe, një parti që prej vitesh pengon integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe nëpërmjet nënkryetarit të saj Milan Radoiçiq ka kontrolluar gati të gjitha aktivitet ilegale në veri të Kosovës, Ambasada serbe në Zvicër u përpoq të theksojë kinse kredibilitetin e Radosavleviqit.

Në shtator të vitit 2023, Milan Radoiçiq i priu një bande terroriste serbe në një sulm kundër shtetit të Kosovës. Me atë rast u vra një polic i Kosovës – Afrim Bunjaku – dhe u plagosën disa të tjerë. Radoiçiq jeton në Serbi, nën mbrojtjen e regjimit të atjeshëm. Jovana Radosavleviq gjatë bisedave në Bern me politikanë zviceranë arriti t’i fsheh të gjitha këto anë të errëta të partisë për të cilën kandidoi në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë.

Radosavleviq foli gjatë një dreke pune të Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër-Serbi. Drekën e shtroi Ambasada e Serbisë në Bern.

Në takim morën pjesë 14 parlamentarë zviceranë, përfshirë bashkëkryetarët e Grupit, Christian Imark dhe Sibel Arslan, e cila shërben gjithashtu si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit zviceran.

“Grupi Parlamentar i Miqësisë ka vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke u rritur nga 17 anëtarë në dhjetor të vitit të kaluar në 23 anëtarë sot”, njoftoi Ambasada e Serbisë në Bern në një postim në rrjetin X. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vedat Muriqi është shumë pranë rikthimit te Fenerbahçe, pasi klubi…