Ministri iranian thotë se sulmet e ShBA-së ndaj Iranit janë “shkelje e sovranitetit”
Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit i ka cilësuar sulmet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj territorit iranian si një shkelje të hapur të sovranitetit kombëtar dhe ka paralajmëruar vendet e Lindjes së Mesme që strehojnë trupa amerikane se mund të bëhen objektiv në rast të sulmeve të tjera kundër Iranit.
“Forcat e armatosura të Iranit shkaktuan dëme të rënda në bazat dhe asetet amerikane në rajon që shërbyen si pikënisje për këto sulme”, thuhet në deklaratën e ministrisë, ku shtohet se Teherani nuk do të hezitojë të godasë burimin e çdo sulmi të ardhshëm.
Të mërkurën, Irani ndërmori sulme ndaj objektivave në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani, pasi SHBA-ja goditi baza iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit. Uashingtoni e paraqiti operacionin si kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të një helikopteri ushtarak Apache.
Deri më tani nuk është konfirmuar nëse ndonjë bazë apo strukturë amerikane në rajon ka pësuar dëme nga sulmet iraniane. Megjithatë, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në të tre vendet e përfshira.
Pas zhvillimeve të fundit, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka zhvilluar biseda telefonike me homologët e tij në Arabinë Saudite dhe Turqi.



