Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Mehmet Prishtinës

10 qershor 2026 | 16:27
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI200/24, të parashtruar nga Mehmet Prishtina, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore përkitazi me lëndën [PPKR. nr. 130/16] në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Gjykata, njëzëri (i) deklaroi kërkesën të pranueshme; (ii) konstatoi se ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm; (iii) konstatoi se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), duhet të veprojë me prioritet në përfundimin e procedurës penale dhe nxjerrjen e aktgjykimit meritor; dhe (iv) refuzoi kërkesën për moszbulim të identitetit.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një procedurë penale ndaj parashtruesit të kërkesës lidhur me dyshime për përfshirje në krim të organizuar, përvetësim të kundërligjshëm të pronës shoqërore, pastrim parash, shmangie nga tatimi, falsifikim dokumentesh dhe vepra të tjera penale. Procedura ka filluar në vitin 2014 me hetimet e organeve të ndjekjes penale dhe është shoqëruar me masa të sigurimit pasuror, përfshirë sekuestrimin dhe ngrirjen e aseteve të parashtruesit të kërkesës. Më 3 mars 2016 është ngritur aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës dhe 22 të pandehurve të tjerë, ndërsa deri në momentin e shqyrtimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, procedura gjyqësore në Gjykatën Themelore nuk kishte përfunduar. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi kohëzgjatjen e procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke pretenduar (i) shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, e garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendoi (ii) shkelje të neneve 32 dhe 33 të Kushtetutës, për shkak të parashkrimit të disa veprave penale dhe (iii) shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, për shkak të bllokimit të aseteve, përkatësisht pronave të paluajtshme, llogarive bankare dhe mjeteve të dorëzanisë. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kërkoi edhe moszbulim të identitetit të tij, megjithatë i njëjti nuk ofroi asnjë arsyetim.
Gjykata, në lidhje me pretendimet e parashtruesit për shkelje të neneve 32, 33 dhe 46 të Kushtetutës, shqyrtoi nëse parashtruesi i kërkesës kishte përmbushur kriterin e shterimit të mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së Punës. Në këtë drejtim, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, dhe bazuar në parimin e subsidiaritetit, vlerësoi se këto pretendime bien në kategorinë e “kërkesave të parakohshme”, pasi që procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës ende është duke u zhvilluar pranë Gjykatës Themelore.
Në vijim, Gjykata vazhdoi me vlerësimin në merita të pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, lidhur me kohëzgjatjen e procedurës penale në lëndën penale [PPKR. nr. 130/16] në Gjykatën Themelore.
Në vlerësim të këtij pretendimi, Gjykata shtjelloi (i) parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me të drejtën për një vendim brenda një afati të arsyeshëm kohor në rastet penale dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Ashtu siç është sqaruar edhe në Aktgjykim, për qëllim të vlerësimit të respektimit të afatit të arsyeshëm, Gjykata mori parasysh periudhën nga fillimi i procedurës së hetimeve ndaj parashtruesit të kërkesës deri në paraqitjen e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, e cila në rastin konkret përfshinte periudhën prej dhjetë (10) viteve, gjashtë (6) muaj dhe tre (3) ditë. Sa i përket ndërlikueshmërisë së rastit, Gjykata vlerësoi se procedura penale kishte një shkallë të caktuar kompleksiteti, duke marrë parasysh faktin që aktakuza e ngritur (i) përfshinte dyshimin e bazuar për kryerjen e disa veprave penale, si dhe (ii) numrin e madh të të pandehurve në procedurë dhe provave materiale që duhej administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Megjithatë, Gjykata theksoi se një kompleksitet i tillë, në vetvete, nuk mund të arsyetojë kohëzgjatjen e procedurës për një periudhë kaq të gjatë kohore, veçanërisht në mungesë të veprimeve të vazhdueshme dhe efikase procedurale për zhvillimin dhe përmbylljen e çështjes në Gjykatën Themelore. Në vijim, Gjykata theksoi se e drejta për një proces të rregullt dhe të paanshëm garanton edhe përfundimin e çështjeve penale brenda një afati të arsyeshëm, duke pasur parasysh pritshmërinë e palëve që akuzat ndaj tyre të marrin epilog në kohë të arsyeshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetiti, Agron Qalaj, është…