Lufta kundër krimit financiar, kryeprokurori Gashi takon përfaqësues të thesarit amerikan

10 qershor 2026 | 16:44

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka pritur të mërkurën në takim përfaqësues të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph W. Burke, si dhe Norman Richard Smith, Këshilltar për Krime Ekonomike në Zyrën për Asistencë Teknike.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në luftën kundër kriminalitetit ekonomik dhe financiar.

Kryeprokurori Gashi ka vlerësuar mbështetjen e partnerëve amerikanë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.

“Shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për vizitën e tyre, si dhe vlerësoi gatishmërinë e treguar për thellimin e bashkëpunimit, dhe njëkohësisht ka shprehur gatishmërinë e tij për punë të përbashkët, krejt kjo me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe rritjes së efikasitetit në zbatimin e ligjit”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Më tutje është bërë me dije se pjesë qendrore e diskutimeve ishte luftimi i pastrimit të parave dhe hetimi i veprave penale financiare.

“Gjatë këtij takimi u diskutua veçanërisht për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e pastrimit të parave, hetimin dhe zbulimin e veprave penale të natyrës financiare, si dhe adresimin e formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik”, ka njoftuar prokuroria.

Ndërsa përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit Amerikan kanë riafirmuar përkushtimin e tyre për të mbështetur institucionet kosovare në këtë fushë.

“Përfaqësuesit nga Departamenti i Thesarit Amerikan shprehën gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit, me qëllim të avancimit në drejtim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të suksesshëm të kriminalitetit ekonomik, me fokus të veçantë në luftimin e pastrimit të parave dhe formave tjera të krimeve financiare”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në fund të takimit, kryeprokurori Gashi ka falënderuar delegacionin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme, duke ritheksuar përkushtimin e institucionit që drejton për bashkëpunim me organet vendore dhe ndërkombëtare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me organet tjera ligjzbatuese, qoftë vendore apo edhe ndërkombëtare, me qëllim luftimin e dukurive negative dhe forcimin e sundimit të ligjit”, ka njoftuar prokuroria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dani Olmo mund të largohet nga Barcelona këtë verë. Sipas…