KMShK dënon deklaratat e nënkryetares së KPM-së për mbylljen e emisioneve: Presion ndaj lirisë së mediave

10 qershor 2026 | 19:44

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar përmes një deklarate publike, duke dënuar ashpër deklarimet e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Drita Morina, lidhur me paralajmërimet për mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Në një vendimmarrje urgjente online, KMShK ka vlerësuar se deklarata të tilla nuk kanë bazë në Kodin e Etikës së KPM-së dhe përbëjnë, sipas tyre, ndërhyrje të papranueshme ndaj lirisë së mediave.

“Anëtarët e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kanë dënuar fuqishëm deklarimin e nënkryetares së KPM-së, Drita Morina, e cila, pa asnjë mbështetje në Kodin e Etikës të KPM-së, ka paralajmëruar mbylljen e emisionit ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini”, thuhet në deklaratë.

KMShK thekson se institucionet rregullatore duhet të trajtojnë me kujdes ankesat dhe të shmangin, siç thuhet, qasjet që mund të kenë karakter presioni ndaj mediave.

“Si profesionistë të mediave gjykojmë se organet e pavarura duhet të kenë shumë kujdes gjatë trajtimit të ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, sidomos kur ato ushtrohen nga eksponentë të partive politike”, thuhet më tej.

Në deklaratë, KMShK i ka bërë thirrje KPM-së që të ruajë pavarësinë institucionale dhe të veprojë në përputhje me standardet e Kodit të Etikës.

“KMShK i bën thirrje KPM-së që të ruajë pavarësinë dhe të gjykojë drejt, në përputhje me standardet e Kodit të Etikës të KPM-së”, theksohet në reagim.

Po ashtu, KMShK ka kërkuar që anëtarët e KPM-së të përmbahen nga deklaratat, siç i cilëson, të pamatura dhe të pabazuara ndaj mediave.

“Deklarata të tilla paralajmëruese dhe të pabazuara përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave”, thuhet në fund të deklaratës.

KMShK ka bërë thirrje edhe për distancim publik të anëtarëve të tjerë të KPM-së nga nisma të tilla, të cilat sipas tyre ndikojnë negativisht në lirinë e mediave në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka ushtruar padi ndaj Vedat…