Ebola “kërcënon” Botërorin 2026: Anulohen ndeshjet, ShBA blindon aeroportet nga frika e virusit

11 qershor 2026 | 08:33

Kongoja Demokratike lejohet të luajë në Hjuston (Houston), por shqetësimet shëndetësore mbeten të larta.

Ndërsa tifozë nga e gjithë bota po mbërrijnë në Amerikën e Veriut për Kupën e Botës 2026, më të madhen në histori, një shpërthim i virusit Ebola në Afrikën Lindore ka vënë autoritetet shëndetësore të vendeve pritëse në gjendje alarmi.

Autoritetet po luftojnë me shpejtësi për të frenuar shpërthimin e llojit të rrallë Bundibugyo të virusit, i cili u shpall për herë të parë në Republikën Demokratike të Kongos (RDK) më 15 maj. Deri më tani, ai ka infektuar të paktën 488 persona dhe ka shkaktuar 86 vdekje.

Sëmundja është përhapur edhe në Ugandën fqinje dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur shpërthimin si një “emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik”.

Kongoja merr “dritën jeshile”, por me rrugë plot pengesa

Pas disa javësh pasigurie, Federata e Futbollit të RDK-së (FECOFA) dhe FIFA konfirmuan se ekipi kombëtar është autorizuar plotësisht për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026.

Kishte dyshime serioze mbi pjesëmarrjen e vendit, pasi CDC-ja amerikane (Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) kishte ndaluar hyrjen në SHBA të thuajse të gjithë individëve që kishin qenë në RDK, Ugandë ose në Sudanin e Jugut brenda 21 ditëve të fundit, ndalim ky i vlefshëm deri më 17 qershor.

Megjithatë, pas një videokonference ndërmjet kreut të FECOFA-s dhe përfaqësuesve të lartë të FIFA-s, ekipi mori dritën jeshile.

Më parë, edhe ndeshja miqësore e RDK-së kundër Kilit në Spanjë u anulua për shkak të frikës nga virusi. “Kam nënshkruar dekretin që ndalon zhvillimin e ndeshjes mes Kongos Demokratike dhe Kilit të datës 9 qershor,” deklaroi Juan Franco, kryebashkiaku i La Línea de la Concepción në jug të Spanjës.

Kush janë “Leopardët”?

Ekipi kombëtar i RDK-së do të stërvitet në “SaberCats Stadium” në Hjuston. Kombëtarja ka shpallur listën me 26 lojtarë, ku përfshihen sulmuesi Yoane Wissa i Newcastle-it dhe mesfushori Noah Sadiki i Sunderland-it.

RDK-ja ndodhet në Grupin K dhe do të luajë:

  • Kundër Portugalisë më 17 qershor në Hjuston.
  • Kundër Kolumbisë më 23 qershor në Guadalahara (Guadalajara).
  • Kundër Uzbekistanit më 27 qershor në Atlanta.

Hjustoni në gatishmëri

Gjyqtarja e Qarkut Harris, Lina Hidalgo, deklaroi se zona e Hjustonit është e përgatitur dhe nuk është në gjendje paniku, ndërkohë që autoritetet po e monitorojnë me kujdes shpërthimin e Ebolës, shkruan Tch.

Aeroporti Ndërkombëtar “George Bush” në Hjuston është përcaktuar si njëri prej tre aeroporteve amerikane që do të pranojë udhëtarët e devijuar nga Uganda, RDK-ja dhe Sudani i Jugut. Udhëtarët nga këto vende do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore nga CDC-ja, duke përfshirë matjen e temperaturës dhe dhënien e historikut të udhëtimit. Hidalgo theksoi se Ebola është shumë më pak ngjitëse sesa COVID-19, pasi kërkon kontakt të ngushtë me lëngjet trupore të një personi të infektuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roja Bregdetare Greke ka ndaluar ose shpëtuar gati 550 migrantë…