Meksika – Afrika e Jugut, ndeshja hapëse e Botërorit

11 qershor 2026 | 16:11

Me ndeshjen Meksika – Afrika e Jugut, fillon Kampionati Botëror më i madh i futbollit deri më tani.

Kjo ndeshje i takon Grupit A, ndërsa zhvillohet në Mexico City, sot nga ora 21:00.

Meksika është njëra prej tri nikoqireve të Botërorit dhe llogaritet favorite, por edhe Afrika e Jugut synon të paktën kalimin e grupit.

Është kjo përsëritje e ndeshjes hapëse të Botërorit 2010, të zhvilluar në Afrikën e Jugut dhe kishte përfunduar 1:1.

Plot 80 mijë shikues priten në stadiumin e famshëm “Azteca”, në spektaklin e ndeshjes hapëse.

Ceremonia hapëse fillon 90 minuta para ndeshjes së parë. Shakira do të performojë, ndërsa J Balvin dhe Tyla janë në mesin e artistëve të tjerë.

Dhe pas ceremonisë hapëse koha do të jetë për futboll, ndërsa Meksika do të paraqitet për herë të 17-të në Botëror.

Ndeshja në shtëpi dhe pozita në renditjen e FIFA-s e bëjnë Meksikën favorite dhe po ashtu fakti se është e pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit.

Afrika e Jugut është e 60-ta në renditje, shumë larg vendit të 14-të të Meksikës dhe kërkon befasinë në ndeshjen hapëse.

Afrika e Jugut është kthyer pas 16 vjetësh në skenën e madhe, ndërsa paraqitet për herë të katërt gjithsej.

Përgatitjet e Afrikës së Jugut janë penguar nga telashet me viza. Kjo shtyu udhëtimin e një pjese të stafit. Në Grupin A janë edhe Çekia dhe Koreja e Jugut kurse dy të parët në 12 grupet, së bashku me tetë kombëtaret më të mira të vendit të tretë avancojnë në 1/16 e finales.

Kjo do të jetë vetëm ndeshja e pestë mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Meksika i ka dy fitore, Afrika e Jugut një.

Ndeshja e fundit mes tyre ishte ajo e Botërorit 2010.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara…