Behrami ngre kritika të ashpra: Kurti hesht për humbjen e një figure të luftës çlirimtare
Artan Behrami nga PDK-ja ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se ai deri më tani nuk ka shprehur ngushëllime publike për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, komandant, bashkëluftëtar dhe familjar i afërt i Adem Jashari.
Në një postim në Facebook, Behrami ka vlerësuar se heshtja ndaj një figure të tillë përbën, sipas tij, mungesë empatie dhe respekti institucional.
“Deri në këto çaste, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka shprehur ngushëllime publike për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, komandantit, bashkëluftëtarit dhe familjarit të afërt të Adem Jasharit. Heshtja ndaj një figure të tillë, e cila lidhet drejtpërdrejt me historinë e rezistencës dhe luftës çlirimtare të Kosovës, është një mungesë empatie dhe respekti institucional. Përballë një humbjeje të madhe për një familje që mbart një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës, mosreagimi është i papranueshëm”, ka shkruar Behrami.
Behrami ka kritikuar edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se reagimi i saj ka qenë “i ftohtë”, pasi nuk janë theksuar gradat ushtarake dhe pesha historike e kontributit të të ndjerit.



