Prokurori special jep detaje për arrestimin e 5 personave: Hetimet treguan se ishin pjesë e njësive të policisë së Serbisë
Prokuroria Speciale në rastin e njohur si “Reçaku II”, së bashku me Policinë e Kosovës, kanë bërë arrestimin e pesë personave. Pas operacionit, në një konferencë për media, prokurori special Ilir Morina ka dhënë detaje.
Në fjalën e tij hyrëse, prokurori Morina, ka thënë para mediave “prokuroria ka ngritë një aktakuzë për rastin e Masakrës së Reçakut në dhjetor të vitit të kaluar, hetimet nuk kanë përfunduar. Kemi vazhdu me mbledhjen e dëshmive të rëndësishme. Hetimet që kemi zhvilluar këto gjashtë muaj, kemi arritë të identifikojmë disa persona që kanë qenë pjesë e Njësive të policisë së Serbisë në atë kohë, që kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak.
“Pasi kemi siguruar prova të mjaftueshme, kemi kërkuar urdhër-arrestin dhe urdhërkontrollin, gjykata ka aprovuar kërkesën tonë. Sot kemi ekzekutuar urdhrin, kemi arrestuar pesë persona, të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut”, ka thënë Morina.



