Nga lotët e luftës te Medalja e Lirisë, Rahoveci nderon Xhafer Kadirin
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhafer Kadiri, është nderuar me Medaljen e Lirisë nga Komuna e Rahovecit në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të çlirimit të qytetit.
Kadiri njihet për fotografinë ikonike të realizuar gjatë luftës, ku ai shihej duke qarë për bashkëluftëtarët e rënë. Fotografia, e shkrepur më 12 nëntor 1998 në fshatin Reti të Rahovecit, pasqyronte dhimbjen e tij për humbjen e dy komandantëve dhe shokëve të armës, Xhelal Hajda – Toni dhe Selajdin Mullabazi – Mici.
Medalja iu dorëzua nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Pas pranimit të saj, Kadiri ka shprehur mirënjohjen e tij përmes një mesazhi publik, duke kujtuar sakrificën e luftës dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
“Kanë kaluar 27 vite nga dita e çlirimit, por kujtimet për luftën dhe gjithçka që kemi përjetuar po bëhen gjithnjë e më të freskëta me kalimin e viteve. Dashuria për atdheun kërkon altruizëm, e këtë e kemi dëshmuar. Do ta bënim sërish sa herë që atdheu do të na thërriste”, ka shkruar ai.
Kadiri ka theksuar se çdo cep i Rahovecit dhe i Kosovës mban gjurmët e sakrificës së luftës, ndërsa ka bërë thirrje që historia të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj në mënyrë të drejtë dhe të pandikuar nga interpretimet.
“Gjeneratat e reja meritojnë të mësojnë historinë e kombit të tyre dhe të kenë me çfarë të krenohen në të ardhmen”, ka theksuar ai në mesazhin e tij.
Në fund, Kadiri ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Çlirimit të Rahovecit, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.



