Mbi 10 mijë qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025

15 qershor 2026 | 15:23

Mbi 10 mijë qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025 nga Agjencia për Ndihmë Juridike, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Në fokus të kësaj agjencie kanë qenë kategoritë më të cenueshme: viktimat e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, trafikimit të qenieve njerëzore, fëmijët, të miturit, personat e diskriminuar, si dhe të dhunuarit seksualisht gjatë luftës së fundit.

Në hapjen zyrtare të “Javës për Ndihmë Juridike Falas”, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se kjo javë ka për qëllim informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe mundësitë që kanë për t’i mbrojtur ato. “Sot po e hapim ‘Javën e Ndihmës Juridike Falas’ me një qëllim të qartë: të informojmë sa më shumë qytetarë për të drejtat e tyre dhe për mundësinë që kanë për t’i mbrojtur ato. Në këtë mision, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas luan një rol të pazëvendësueshëm. Përmes zyrave rajonale, mobile dhe bashkëpunimit me organizata partnere, ndihma juridike falas sot është më afër qytetarëve se kurrë më parë. Ajo arrin në komunat tona, komunitetet tona dhe tek njerëzit që shpesh kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Arrin te gratë viktima të dhunës, komunitetet joshumicë, përfituesit e ndihmave sociale, pensionistët, nënat vetushqyese. Rezultatet flasin vetë: gjatë vitit 2025, agjencia ka ofruar ndihmë juridike falas për më shumë se 10 mijë qytetarë”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Ndihmë Juridike, Faton Jashari, ka përmendur se çka është kërkuar më së shumti nga kjo agjenci. “Në zyrat tona nuk kemi vetëm lëndë. Në to hyjnë njerëz: gra që kërkojnë mbrojtje nga dhuna, prindër që nuk dinë si të mbrojnë fëmijët e tyre, të rinj që përballen për herë të parë me institucionin, persona të diskriminuar, qytetarë që luftojnë për të drejtën në pronë, për pension, për dinjitet. Në atë moment, ndihma juridike falas nuk është vetëm procedurë; është fjala e parë e qartë në një situatë të vështirë dhe hera e parë që qytetari e ndjen se shteti po e dëgjon. Viti 2025 e dëshmoi qartë këtë praktikë, ku agjencia ka siguruar shtrirje të ndihmës juridike falas në të gjithë territorin e Kosovës, përmes shtatë zyrave rajonale dhe 23 zyrave mobile. Ka ofruar ndihmë juridike falas për 6 mijë e 797 qytetarë. Stafi ynë ka ofruar 6 mijë e 936 shërbime të ndihmës juridike, ndërsa 733 lëndë janë referuar te avokatët për përfaqësim dhe shërbime të mëtejme. Numri i trajtuar në vitin 2025 arrin mbi 10 mijë. Në fokus kanë qenë kategoritë më të cenueshme: viktimat e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, trafikimit të qenieve njerëzore, fëmijët, të miturit, personat e diskriminuar, si dhe të dhunuarit seksualisht gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtoresha e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në OSBE, Tamar Khidasheli, ka thënë se barrierat ligjore e ekonomike po vazhdojnë t’i pengojnë qytetarët që t’i ushtrojnë të drejtat e tyre, por me ndihmën juridike falas kjo mund të arrihet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka pritur…