1 muaj paraburgim ndaj të miturit të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit në Kobaj të Prizrenit
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të miturit me inicialet A.O., i dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, lidhur me rastin e vrasjes së kushëririt të tij në fshatin Kobaj të Prizrenit.
Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi ndaj të miturit do të zgjasë deri më 14 korrik 2026.
“Gjyqtarja për të mitur, ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i bazuar në ligj, dhe i arsyeshëm dhe do të siguroj zhvillimin e pa penguar të rrjedhës së procedurës përgatitore, dhe sigurimin e prezencës së të miturit para institucioneve të drejtësisë”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.
Ndërkohë, gjykata ka bërë me dije se sot gjatë ka pranuar edhe kërkesat për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve të tjerë në këtë rast (nënën e të miturit dhe vëllain).
Prokuroria ka kërkuar që për Sh.O. vëllai i të dyshuarit të paraburgosur, të caktohet gjithashtu masa e paraburgimit për shkak të bashkëkryerjes së vrasjes. Kërkesa për paraburgim u bë edhe për A.O. nënën e dy fëmijëve, për “shtytje në vrasje të rëndë”.
“Kjo kërkesë do të trajtohet pranë Departamentit për Krime të Rënda, dhe Gjyqtarja e procedurës paraprake, brenda afatit ligjor do të cakton seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë”, ka njoftuar gjykata.



