Kusari: KPM-ja po vepron si zyrë ligjore e Vetëvendosjes
Juristja e mediave Flutura Kusari ka akuzuar Komisionin e Pavarur të Mediave se po zbaton standarde të pabarabarta në trajtimin e ankesave, sidomos kur ato lidhen me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në “Rubikon” të Klan Kosovës, Kusari tha se një analizë e vendimeve të KPM-së tregon se rezultati shpesh varet nga pala ankuese.
“Deri tani shumicën e vendimeve që kemi i analizuar, sa herë që Vetëvendosja është ankuar, KPM-ja e ka aprovuar atë ankesë dhe i ka gjobitur ose i saknsionuar me të holla mediat, ose me vërejtje”, tha ajo.
Sipas saj, KPM-ja ka nisur raste edhe me vetiniciativë kur në studio televizive është kritikuar Vetëvendosja.
“Po ashtu, pjesë tjetër e analizës është që në disa raste kur në studio televizive është kritikuar Lëvizja Vetëvendosje, por Vetëvendosja nuk ka bërë ankesë, KPM-ja është siguruar që ex officio, sipas detyrës zyrtare, të fillojë rast ndaj atyre mediave”, deklaroi Kusari.
Ajo tha se KPM-ja po krijon përshtypjen se vepron “si një zyrë ligjore për Lëvizjen Vetëvendosje”.



