Qeveria s’ua pagoi 2 milionë e 869 mijë euro ushtarëve për orët shtesë gjatë 2025-s

16 qershor 2026 | 15:57

Zyra Kombëtare e Auditorit ka prezantuar të gjetura shqetësuese për gjendjen e ushtarëve, të cilët, sipas ZKA-së, disa prej tyre janë kompensuar me ditë pushimi vetëm për aq “sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet”.

Plot 2 milionë e 869 mijë e 999 euro u ka mbetur shteti borxh vetëm në vitin 2025 pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për orët shtesë që nuk ua ka paguar. Zyra Kombëtare e Auditorit ka prezantuar të gjetura shqetësuese për gjendjen e ushtarëve, të cilët, sipas ZKA-së, disa prej tyre janë kompensuar me ditë pushimi vetëm për aq “sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet”.

Për më tepër, kur Ministria e Mbrojtjes ka bërë kërkesë për ndarje të buxhetit shtesë për të paguar orët shtesë të ushtarëve, Ministria e Financave nuk i ka mbështetur.

“Ministria, për punën e kujdestarive ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025. Po ashtu, kompenzimi me ditë pushimi, gjatë vitit është bërë për aq sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet. Ministria kishte bërë kërkesë në vazhdimësi në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të buxhetit shtesë për përmbushjen e obligimeve, por kjo kërkesë nuk kishte gjetur mbështetje. Bazuar në këto kërkesa vërehet se vlera e kujdestarive të papaguara për pjesëtarët e FSK-së për vitin 2025 kishte arritur 2,869,999€, dhe për shkak të mospagesës kishte filluar procesi i padive nga pjesëtarët e FSK-së ndaj Ministrisë”, thotë Auditori në të gjeturat e saj.


Ligji për Pagat në Sektorin Publik nr. 08L-196 në nenin 36 paragrafi 1 përcakton se zyrtarët publik dhe kategoritë e tjera të të punësuarve që paguhen nga buxheti i shtetit përfitojnë kompensim në vlerë monetare apo me pushim për punën me kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës, punën në fundjavë, punën në ditët e festave zyrtare.

Ministria, në përgjigjen dhënë Auditorit, është arsyetuar se “Draft-Rregullorja për orarin e punës gjate vitit 2025 edhe pse është hartuar dhe finalizuar, nuk është miratuar për shkak të kufizimeve ligjore për shkak se ministri është vetëm në detyrë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Ekonomisë ka ndarë 300 mijë euro për realizimin…