Shefi i NATO-së: Reduktimi i trupave të KFOR-it është lajm i mirë për Kosovën
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka cilësuar si “lajm të mirë” vendimin për reduktimin e numrit të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gjatë një deklarimi për medie, Rutte ka thënë se vendimi vjen si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, pas rritjes së pranisë së forcave të NATO-s në periudhën pas sulmit terrorist në Banjskë.
Ai ka bërë me dije se aktualisht KFOR-i ka rreth 4 700 ushtarë, ndërsa në periudhën e ardhshme numri i tyre pritet të rikthehet në nivelet para vitit 2023.
“Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4 700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3 000 deri në 3 500 trupa”, ka thënë Rutte.
Sipas tij, reduktimi i pranisë ushtarake është tregues i stabilizimit të gjendjes së sigurisë, ndërsa KFOR-i do të vazhdojë të mbetet i përkushtuar ndaj mandatit të tij për garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.



