Armend Thaqi rinovon kontratën me Gjilanin deri në vitin 2028

18 qershor 2026 | 11:36

Armend Thaqi do të vazhdojë të jetë pjesë e Gjilanit edhe në vitet e ardhshme. Klubi i Superligës së Kosovës ka njoftuar se mbrojtësi i krahut të djathtë ka rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2028.

Lajmi është bërë me dije nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar, ku është vlerësuar rëndësia e Thaqit në projektin afatgjatë të skuadrës.

“Pas bisedimeve të zhvilluara në frymë të mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë, palët kanë vendosur të zgjasin kontratën, duke konfirmuar vazhdimësinë e rrugëtimit të përbashkët dhe objektivave sportive të klubit në vitet e ardhshme. Armend Thaqi do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të Sport Club Gjilanit, ndërsa klubi shpreh kënaqësinë për arritjen e këtij akordi dhe i uron futbollistit suksese të mëtejshme me fanellën kuqebardhë”, është thënë në njoftimin e Gjilanit.

Thaqi ishte një nga lojtarët kyç të ekipit gjatë sezonit të fundit, ndërsa mbajti edhe shiritin e kapitenit te skuadra gjilanase.

Me rinovimin e kontratës së mbrojtësit 32-vjeçar, Gjilani siguron vazhdimësinë e një prej futbollistëve më me përvojë në ekip dhe një prej liderëve të dhomës së zhveshjes.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Elon Berisha do ta udhëheqë FC Feronikelin ’74 në…