Rutte: Kosova është një partner i rëndësishëm i NATO-s, prioritet mbetet siguria

18 qershor 2026 | 15:55

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka vlerësuar Kosovën si një partner të rëndësishëm, duke theksuar se përmirësimi i situatës së sigurisë mbetet prioritet.

I pyetur nëse Kosova mund të shihet si pjesë e NATO-s, çfarë duhet të bëjë për këtë dhe nëse Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të mbështetet nga NATO, Rutte ka deklaruar se Kosova është një partner i rëndësishëm, por ka edhe sfida për shkak të mosnjohjes nga disa vende anëtare të Aleancës.

“Natyrisht, Kosova është një partner i rëndësishëm, por ju e dini gjithashtu se ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, prandaj ekziston ky ndërlikim. Megjithatë, mendoj se për momentin gjëja më e rëndësishme është që të bëjmë gjithçka për të siguruar që KFOR-i të jetë sa më i fortë”, ka deklaruar ai.

Rutte ka thënë se, sipas vlerësimit të NATO-s, situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar gjatë viteve të fundit.

“Për këtë arsye është marrë vendimi që KFOR-i të kthehet në nivelet që kishte para vitit 2023 sa i përket numrit të trupave. Aktualisht ka rreth 4 mijë e 700 trupa dhe, në varësi të rrethanave, KFOR-i do të mbetet ende me një prani të konsiderueshme prej 3 mijë deri në 3 mijë e 500 trupash, duke vepruar natyrisht në bazë të mandatit dhe kornizës aktuale ligjore”, ka thënë Rutte. /RTK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës…