Sekuestrohen rreth 60 kilogramë marihuanë, arrestohen katër persona të dyshuar

18 qershor 2026 | 17:01

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka zhvilluar një aksion pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Aksioni është zhvilluar në dy lokacione, në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt, ku janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë.

Lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të dyshuar, prej të cilëve një shtetas i Republikës së Kosovës, dy shtetas të Republikës së Serbisë dhe një shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragrafi 3, lidhur me nenin 275 paragrafi 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, dy vetura dhe një kamion.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka organizuar mbrëmjen…