TRT-ja largon nga komentimi komentatorin që përmendi emrin e Hakan Sukurit
Një komentator turk është larguar nga transmetimi i Kupës së Botës në mes të ndeshjes, pasi përmendi një emër që konsiderohet shumë i ndjeshëm në Turqi.
Rasti lidhet me transmetuesin publik turk TRT, i cili edhe gjatë Botërorit 2026 mori një vendim të ashpër ndaj një prej komentatorëve të tij. Murat Ekrem Cimen u suspendua për pjesën e mbetur të turneut, pasi gjatë ndeshjes Iran – Zelandë e Re, e përfunduar 2-2 në stadiumin “SoFi”, ngatërroi disa herë emrat e dy kombëtareve.
Gabimet e tij u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale, ndërsa TRT reagoi me një komunikatë, duke i cilësuar ato si “të papranueshme sipas standardeve të transmetimit” të televizionit.
Ky nuk është rasti i parë që një komentator turk përballet me pasoja të rënda gjatë një Botërori. Në vitin 2022, Alper Bakırcıgil u largua nga detyra gjatë pushimit të ndeshjes Marok – Kanada, pasi përmendi emrin e Hakan Sukurit.
Şükür është golashënuesi më i mirë në historinë e Turqisë dhe autori i golit më të shpejtë në historinë e Kupës së Botës, të realizuar pas vetëm 11 sekondash kundër Koresë së Jugut në ndeshjen për vendin e tretë.
Megjithatë, pas përfundimit të karrierës, ish-sulmuesi u shndërrua në një figurë shumë të debatueshme në Turqi. Ai u angazhua në politikë dhe më pas u akuzua për lidhje me lëvizjen e Fethullah Gülenit, si dhe për përfshirje në tentativën e dështuar për grusht shteti kundër qeverisë turke. Şükür i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Pas këtyre zhvillimeve, pasuritë e tij u sekuestruan dhe ndaj tij u lëshua një urdhër-arrest. Ai u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku raportohet se ka punuar si shofer i Uber-it, ka menaxhuar një kafene dhe ka themeluar një shkollë futbolli në Palo Alto të Kalifornisë.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, Sukur deklaroi se nuk i kishte mbetur asgjë dhe se presidenti Rexhep Tayyip Erdogan ia kishte marrë “të drejtën për liri, fjalë të lirë dhe punë”. Ai këmbënguli gjithashtu se nuk kishte kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe se nuk ishte “as tradhtar, as terrorist”.
Polemikat rreth tij kanë vazhduar edhe në futboll. Disa prej nderimeve që kishte marrë i janë hequr, ndërsa Galatasaray, ish-klubi i tij, e ka përjashtuar nga anëtarësia dhe e ka lënë jashtë materialeve për triumfin historik në Kupën UEFA të vitit 2000.
Në 20-vjetorin e atij suksesi, klubi nuk e përfshiu Şükürin në përmbajtjet zyrtare, pavarësisht rolit të tij të rëndësishëm në atë triumf. Ai reagoi duke deklaruar se një ditë do të tregojë “historinë e vërtetë” të asaj kupe dhe rrethanat në të cilat u fitua.




