KFV Kosova (P) shpallet kampione e Ligës së Veteranëve

19 qershor 2026 | 11:30

KFV Kosova (P)  është shpallur kampione e këtij edicioni në Ligën e Veteranëve, pasi ka mposhtur KFV Prizrenin, me rezultat 3:1, në një finale ku ekipi nga kryeqyteti ka treguar më shumë stabilitet dhe efikasitet.

Finalja për edicionin 2025/2026 është zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, duke sjellë një ndeshje mjaft interesante dhe me ritëm të lartë deri në fund.

Golashënues për KFV Kosova (P) ishin Azem Ahmeti në minutën e 6-të, Burim Shala në minutën e 32-të dhe Arben Fetahu në minutën e 42-të, ndërsa golin e vetëm për KFV Prizrenin e ka realizuar Fatih Kahrahoda në minutën e 33-të.

Pas përfundimit të ndeshjes, trofeu i kampionit i është dorëzuar kapitenit të ekipit fitues, Naser Prapashtica nga Enes Shosholli, kryetar i Ligës së Veteranëve të Kosovës dhe Avni Shala nënkryetar.

Lojtarët e KFV Kosova (P) janë uruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi. “Përgëzime të veçanta për futbollistët dhe stafin e KFV Kosova (P) për këtë arritje, pasi në ndeshjen finale triumfuan ndaj KFV Prizrenit me rezultat 3:1. Liga e Veteranëve vazhdon të dëshmojë se dashuria për futbollin nuk njeh moshë, ndërsa futbollistët e gjeneratës së sakrificës mbeten ambasadorë të vlerave sportive dhe shembull për brezat e rinj. Urime për kampionët!”, është thënë në urimin e Ademit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka siguruar vota të mjaftueshme…