Osmani: E vërteta për krimet e luftës nuk do të harrohet, drejtësia për të mbijetuarit mbetet obligim

19 qershor 2026 | 14:51

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke vlerësuar forcën, dinjitetin dhe përkushtimin e tyre në kërkimin e drejtësisë.

Përmes një mesazhi publik, Osmani ka theksuar se dhuna seksuale e kryer gjatë luftës nga forcat serbe ishte një nga krimet më të rënda, me synim cenimin e dinjitetit njerëzor dhe traumatizimin e mijëra grave dhe burrave.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, përulemi me respekt para të mbijetuarve që bartën plagë të rënda, por gjetën forcën për të vazhduar jetën me dinjitet, guxim dhe luftë të pareshtur për drejtësi”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka theksuar se kujtesa, drejtësia dhe mbështetja për të mbijetuarit mbeten detyrime të përhershme të institucioneve dhe të shoqërisë.

Ish-presidentja ka rikujtuar edhe angazhimin institucional gjatë mandatit të saj pesëvjeçar, duke vlerësuar se zëri i të mbijetuarve është fuqizuar në arenën ndërkombëtare dhe se Serbia është përballur vazhdimisht me çështjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“E vërteta nuk do të harrohet kurrë, ndërsa përpjekja për drejtësi nuk do të ndalet”, ka theksuar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka ishte dominant në fushë në…