Ministri gjerman: Nevojitet ndryshim i metodologjisë së anëtarësimit në BE, deri tani ishte ‘garë në kërcim së larti’
Ministri gjerman për Evropën, Günther Krichbaum, ka theksuar se nevojitet një ndryshim i metodologjisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për shtyrje të procesit, por për arritjen më efikase të qëllimit përfundimtar – anëtarësimit në BE.
Krichbaum, në një konferencë për media me ministren austriake për Çështjet Evropiane, Claudia Bauer, në Vjenë, ka vlerësuar se hapja e negociatave të anëtarësimit me Moldavinë dhe Ukrainën është një sinjal i rëndësishëm dhe se ky vendim e forcon kredibilitetin e procesit të zgjerimit.
“A jam plotësisht i bindur se na duhet një ndryshim i të ashtuquajturës metodologji? Kjo mund të tingëllojë paksa e rëndë, por deri më sot procesi i anëtarësimit në BE ishte organizuar si një lloj gare në kërcim së larti. Lartësia e shiritit përfaqëson trashëgiminë ligjore të BE-së, pra të gjitha rregulloret, direktivat dhe aktet e deleguara”, ka deklaruar ai.
Sipas Krichbaum, kriteret e anëtarësimit janë bërë më të ndërlikuara me kalimin e kohës, për shkak të zgjerimit të fushave që mbulon legjislacioni evropian.
“Më parë, shiriti ishte vendosur në 1.5 metra. Megjithatë, edhe trashëgimia ligjore ka ndryshuar. Nuk mund të krahasohet më me atë që ishte pesë, dhjetë apo njëzet vite më parë. Mendoni vetëm për mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e konsumatorit dhe shumë rregullore të tjera. Sot, shiriti është në 2 metra”, është shprehur ai.
Ministri gjerman ka theksuar se për vendet që duhet ta kalojnë këtë “shirit”, edhe niveli i mëparshëm ka qenë sfidues.
“Prandaj ne jemi për zgjerim gradual dhe, për të qenë plotësisht i qartë, destinacioni ynë përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Nuk bëhet fjalë për shtyrje, por për arritje më efikase të këtij qëllimi, për një rrugë më të mirë drejt tij”, ka theksuar Krichbaum.
Ai ka bërë të ditur se Gjermania dëshiron ta mbështesë këtë qasje brenda BE-së, pasi sipas tij nevojitet më shumë besueshmëri në procesin e zgjerimit.
“Kur procesi i anëtarësimit zgjat dhjetë ose më shumë vite, njerëzit në vendet që janë në rrugën evropiane e humbin besimin. Ata nuk besojnë më se anëtarësimi është i mundur. Kjo është ajo që ne po e mbështesim me këtë qasje”, ka përfunduar Krichbaum.



