Obama inauguron qendrën presidenciale në Çikago, mesazh për unitet dhe shërbim publik

19 qershor 2026 | 14:58

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka inauguruar Qendrën Presidenciale në Çikago gjatë një ceremonie madhështore që mblodhi figura të njohura botërore, liderë politikë, artistë dhe sportistë.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ish-presidentët Joe Biden, George W. Bush dhe Bill Clinton, si dhe ish-zonjat e para Jill Biden, Laura Bush dhe Hillary Rodham Clinton, së bashku me ish-nënpresidenten Kamala Harris.

Në skenë u ngjitën edhe artistë të njohur, përfshirë Bruce Springsteen, Stevie Wonder, Christina Aguilera, Bono dhe John Legend.

Donald Trump nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Ai më herët e kishte cilësuar projektin si një “katastrofë totale”. Edhe pse nuk u përmend drejtpërdrejt, fjalimet e Barack dhe Michelle Obama u interpretuan si kritika të tërthorta ndaj tij.

Michelle Obama theksoi rëndësinë e integritetit, së vërtetës dhe shërbimit publik, duke rikujtuar edhe kundërshtimin ndaj teorive të pavërteta për vendlindjen e Barack Obamës, të njohura si “birther conspiracy”, të cilat në të kaluarën ishin përhapur edhe nga Trump.

Ajo foli gjithashtu për klimën aktuale politike në Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar atë si “të tensionuar dhe të ndarë”, ndërsa e prezantoi qendrën si një hapësirë reflektimi dhe qetësie.

Barack Obama, në fjalimin e tij, foli për vlera si ndershmëria, mirëkuptimi dhe shërbimi publik, duke theksuar se pavarësisht dallimeve politike, presidentët e vendit kanë synuar të mbrojnë parimet themelore të ShBA-së.

“Çdo president këtu sot, sado të ndryshëm që jemi, është përpjekur me të gjitha forcat të mbështesë vlerat në të cilat John McCain dhe Mitt Romney besonin jo më pak se unë. Kjo është trashëgimia jonë më e madhe”, deklaroi Obama.

Ai reflektoi edhe mbi themelimin e Shteteve të Bashkuara si një eksperiment “radikal” në vetëqeverisje, duke kujtuar se revolucioni amerikan hodhi poshtë pushtetin dhe hierarkitë e trashëguara.

Obama rikujtoi premtimin themelues se nuk do të kishte “as mbretër apo zotërinj, as bujkrobër apo nënshtetas, por vetëm qytetarë”, duke e cilësuar këtë si një nga parimet themelore të demokracisë amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri gjerman për Evropën, Günther Krichbaum, ka theksuar se nevojitet…