Mbi 19 mijë maturantë i nënshtrohen nesër Testit të Maturës Shtetërore

19 qershor 2026 | 16:15

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se nesër (e shtunë) do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026 – afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19 mijë e 514 nxënës në 152 qendra testimi në mbarë vendin.

Sipas ministrisë, procesi i testimit do të administrohet nga 1 mijë e 360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve, të cilët janë trajnuar paraprakisht për mbarëvajtjen e procesit.

Testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 13:30.

“Të gjithë maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së voni në orën 09:00, në mënyrë që të përfundojnë me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Ministria ka bërë të ditur se testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të përfshijë katër lëndë: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga kandidati.

Në total, testi përmban 100 pyetje, me nga 25 pyetje për secilën lëndë.

MASHTI ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar.

“Çdo kandidat që konstatohet me një pajisje të tillë do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse e ka përdorur apo jo”, thuhet më tej në njoftim

Ndërkohë, Qendra për Vlerësim ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të testit.

Në fund, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e famshme, Irina Shayk, ka tërhequr vëmendjen e mediave…