Dyshime për cilësinë e një produkti medicinal, ShSKUK-ja bllokon mbi 1 mijë njësi në Spitalin e Mitrovicës

19 qershor 2026 | 16:35

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se, pas raportimit të një dyshimi lidhur me produktin medicinal Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, janë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme nga institucionet përgjegjëse.

Sipas njoftimit, farmacistja përgjegjëse e barnatores së spitalit ka ngritur dyshime se produkti në fjalë mund të mos jetë brenda specifikave të përcaktuara. Pas raportimit, ShSKUK, në bashkëpunim me Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) dhe Inspektoratin Farmaceutik, ka nisur procedurat për verifikimin e rastit.

Më 17 qershor 2026, Inspektorati Farmaceutik ka kryer inspektim në barnatoren e spitalit, ku është konstatuar gjendja e raportuar. Përmes procesverbalit zyrtar është urdhëruar bllokimi i 1,432 njësive të produktit medicinal Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml, deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe vlerësimeve profesionale përkatëse.

ShSKUK ka bërë të ditur se natyra e gjetjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të analizave laboratorike dhe vlerësimeve nga institucionet kompetente. Rezultatet do të bëhen publike sapo të përfundojnë procedurat përkatëse.

“ShSKUK mbetet e përkushtuar në ruajtjen e shëndetit publik dhe sigurisë së pacientëve. Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të pacientëve dhe garantimit të cilësisë së produkteve medicinale që përdoren në institucionet shëndetësore, do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme në përputhje me rekomandimet dhe vlerësimet e institucioneve kompetente”, thuhet në njoftim.

Rasti mbetet nën monitorimin e institucioneve përgjegjëse deri në publikimin e rezultateve përfundimtare të analizave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FIFA ka përditësuar udhëzimet e saj pas ankesës së përzgjedhësit…