Panairi në pranga

21 qershor 2026 | 11:08

Berat Armagedoni

Lexues të dashur,

Fillimisht ju bëj me dije se nuk më erdhi lehtë ta shkruaj këtë titull e as ta dëgjoj këtë tingull të këtyre tri fjalëve për ngjarjen vjetore më të madhe të librit në Kosovë. Por meqë në bark më është bërë bas, u detyrova të shkruaj prej zemrës së plastë dhe me shkas. Ndonjë të sharë nga ndokush do ta ha, patjetër, po punë e madhe, se nëna ime, edhe pse ka lindur dhjetë fëmijë, kurrë s’ka mbetur shtatzënë nga të sharat, por nga të q… nga im atë, Rasimi

Që njëzet e gjashtë edicione, Shoqata e Botuesve e Kosovës (ShBK), e cila ka njëzet e shtatë vjet jetë në legalitet, një javë para organizimit të edicionit të ri të panairit, e njofton publikun e ngushtë dhe të gjerë, nëpërmjet medieve të llojeve të ndryshme dhe nëpërmjet rrjeteve sociale të llojeve të ndryshme e nëpërmjet gojëve e zërave të ndryshëm, se në këtë edicion do të marrin pjesë rreth njëqind botues, se do të paraqiten rreth dy mijë botime të reja, se do ta vizitojnë rreth tridhjetë mijë vizitorë. Nuk e ka ndryshuar statistikën e botimeve në asnjë vit edhe pse vetëm në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut rreth 7 000 libra botohen brenda një viti. More asnjë fjalë se ka ndryshuar nga ato të mëparshmet! Pra, dy a tre më pak a dy a tre më shumë botues se njëqind dhe dhjetë më pak a dhjetë më shumë botime të reja se dy mijë. Nuk e ka ndryshuar këtë njoftim në asnjë vit. As vendin, as karakterin, as lëvdatat, as motot frazeologjike, pa shije e pa kreativitet. Pllakatet, po. Numrat e edicionit, po. Disa figura publike e jopublike të Kosovës, që përçajnë dhe sundojnë e që janë me njëri-tjetrin si ujku me dhinë, po. Shkrimtarë të huaj na merr malli të shohim në panair. Një sa për farë, shkrimtar i shtëpisë së ish-shefit, sivjet erdhi, u nderua prej ShBK-së me njëfarë çmimi kryesor. Çmim panairi me juri (ndër)kombëtare dhe arritje kulmore, kryesisht me juri panairesh. Ka çfarë të shkruhet shumë, po sa shkruaj unë për këtë punë ju s’keni kohë të lexoni në këtë të diel me diell. Por, do “sene” medoemos që duhen thënë qoftë me hir, qoftë me pahir.

ShBK s’e ka ndryshuar as lakminë për të marrë para nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), as mbledhjen e taksave nga botuesit, për të cilët, kushdo që bën analizë të shpenzimeve, e kupton se ajo është gjobë. Pra, ShBK, edhe pse ka emër shoqate të botuesve, nuk i ndihmon botuesit. I ndëshkon dhe veprat e autorëve të tyre i nëpërkëmb. Djersën ua “nxjerrë” nga trupi dhe gjakun ua “thithë” si pambuku. Edhe mua nja pesë gjashtë vjet po ama, ma jo! Zgjerohet nga mundi i tyre dhe e trashë pasurinë e patundshme nga xhepat e tyre. Edhe pse ka shumë para, sivjet Shoqata kishte harruar t’i përkujtojë shkrimtarët në përvjetorët e lindjes e të vdekjes. Një fjalë për asnjë shkrimtar vendor e botëror të vdekur s’e shkroi. Punë e madhe, kanë vdekur dhe kanë shkuar për “lesh”. I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurin. Një poster për ta për asnjë postiere (media) s’e çoi te publiku. Një fjalë s’e shkroi as për Qosjen. As për Kadarenë. Një tryezë të vogël do të duhej për këta “rivalë”, se panairet me ta kanë pasur jehonë. Qosja tepihun e panairit e ka shkelur deri vjet. I ka nderuar botuesit, lexuesit dhe panairin. As për këta dy kolosë e as për asnjë kockë letrare kombëtare asnjë fjalë prej ShBK-së. Madje edhe aktivitetet e shtëpive botuese, përurimet e librave, ShBK përpiqet t’i shesë se janë të saj. Ama, ato s’janë të saj.

Para se të shtrojmë dhe analizojmë shumë çështje të tjera të ShBK-së dhe rreth saj dhe organizimit të panairit prej saj, e hapim gojën dhe pyesim: Kush është ai anëtar, ai person i angazhuar nga ShBK, që i numëron vizitorët dhe na jep këtë statistikë: 30 000 mijë vizitorë për pesë ditë? Si i numëron ai/ajo vizitorët? Me gishta, me sy, me laps, me kalkulator… me çfarë? Me ëndrra? Me parashikime? Nëpërmjet prerjes së biletave?! Jo, se ShBK nuk pret bileta siç pret para nga institucionet dhe nga botuesit çdo vit. Kënaqësia e saj më e madhe është kur në secilin edicion e njofton publikun se “hyrja është falas”. Sa e arritur e madhe kjo! E përsëritshme dhe e bezdisshme! Kur vite më parë e lexoja këtë fjali prej saj, organizatorëve u shkruaja dhe u thosha: hiqeni! Mos i trembni vizitorët, se një ditë do të mbesni edhe pa ta dhe do të detyroheni t’u jepni ujë (“Rugove” ka dhënë dhe po jep kompania “Ujë Rugove”, bukë, para, edhe mirënjohje për t’jua mbushur hapësirën dhe për t’ju përshëndetur me zor). Dhe kjo ditë, fatkeqësisht, po vjen dhe, fatkeqësisht, ditë edhe më të këqija për librin fizik dhe për atë elektronik do të vijnë po qe se edhe më tutje ShBK nuk bën analiza serioze dhe po qe se nuk sillet me botues dhe lexues seriozisht. A ka ajo ShBK ndonjë njeri që s’pajtohet me tjetrin, me shefin?! Ndonjë burrë që ia kthe fjalën burrit? Ndonjë grua që ia kthe fjalën gruas?! Ndonjëri ndokujt?!

Për edicionet e kaluara të panairit kam shkruar shpesh dhe kam shprehur shumë pakënaqësi publikisht dhe ua kam shprehur organizatorëve edhe gojarisht. Reagimet e tyre të dikurshme s’i kam marrë nëpërmjet shkrimeve e as afër zemrës, por nëpërmjet ofendimeve, kërcënimeve (kam bërë denoncim në polici) dhe përpjekjes për nëpërkëmbje kur me shtëpinë botuese “Armagedoni” merrja pjesë e “ngaja” herë në një qoshe, herë në një tjetër; herë në “purgator” me furtunë e me shi jashtë, herë në “ferr” me përballje me disa “luciferë” përbrenda që kundërmonin erë e që njëherë e një kohë redaktorit të kulturës të shtojës për kulturë të “Kohës Ditore” ia bllokonin hundët e disa tipa pastaj dilnin në rrugë t’ia zhbllokonin me grushte veç pse, ato dy fjalë, për keqorganizim të panairit, nuk ia kishte thënë në vesh e që do të mund të ishte pajisur me ndonjë çmim panairi, por ia kishte shprehur në gazetë të shtypur publikisht. Pavarësisht prej rrahjes së teneqesë para veshëve të shurdhër të anëtarëve të ShBK-së nga disa dashamirës të librit dhe aktiviteteve kulturore, asnjë masë për përmirësim të panairit nuk e kanë ndërmarrë kurrë organizatorët që janë familjarë dhe që, për organizimin e panairit kështu si e bëjnë, marrin mijëra euro që 26 edicione nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe nga taksat që mbledhin nga botuesit para dhe pas pjesëmarrjes.

S’di pse institucionet dhe zyrtarët ua kanë tuten hakërrimave të ShBK-së e ia “shprehin” respektin nëpërmjet mbështetjes së majme financiare, kur anëtarët e “shumtë” të saj nuk shprehin mbështetje dhe respekt për botuesit dhe lexuesit. Ata pak anëtarë të kësaj shoqate, ata kryesorët, më kryesorët, më të mëdhenjtë, të plotfuqishmit financiarisht, librin e konsiderojnë vetëm para dhe po për ta, disa “analistë të panaireve, të librave e të shtëpive botuese”, që sigurisht dinë pak për të zezat e tyre, ngarendin t’i quajnë seriozë e të thonë, pa pasur njohuri për Ligjin për Libër dhe Veprimtari Botuese e Ligjin për Biblioteka, se në Kosovë ka autorë që botojnë libra nga njëzet e kusur mijë copë dhe i shesin nga njëzet e kusur euro dhe i botojnë privat, pra pa botues. Jo, s’i botojnë privat, se njëzet e kusur mijë libra nuk mund të shiten dorë më dorë. Librat e tyre kanë botues dhe kanë sukses dhe gjenden nëpër librari, jo nëpër magazina. Nëse ata/ato autorë/e kanë shitur kaq shumë libra, edhe janë të rrallë, edhe s’mund ta arrijë sekush suksesin e tyre edhe nëse lind edhe një herë tjetër dhe që nga shkolla fillore ia nis të shkruajë vargje, fjalë, emocione e ku di tjetër. Në mundshi, bëhuni ju të suksesshëm në fushën e letërsisë siç janë bërë disa në fusha të tjera. Portat e Panairit, për matje të fuqisë e të ndikimit, të hapura i keni te Pallati i Rinisë!

Më tutje, gjoba.

Organizatorët e panairit të librit disave u marrin 30 euro për një metër katror, disa të tjerëve 35, varësisht se cilën sallë zgjedhin të ekspozojnë libra, atë të “myslimanëve”, atë të “katolikëve, myslimanëve e ortodoksëve bashkë etj”, apo atë skaj shefave kryesorë që, përpos që është e kushtueshme, është edhe e pamundshme. Vendet kryesore, për babë e bir. Por, edhe pse Panairi i Librit në Prishtinë organizohet që 26 edicione, edhe pse që rreth njëzet e shtatë vjet janë hapur qindra shtëpi botuese në Kosovë (mbi treqind), numri i botuesve pjesëmarrës në panair po bie çdo vit e numri i anëtarëve të ShBK-së nuk po rritet asnjë ditë. Tash, për ta mbushur hapësirën e panairit me libra dhe me njerëz, ftesa për pjesëmarrje po u bëhen edhe shitësve të librave të vjetër e të përdorur në dy sheshet e Prishtinës, të cilëve, kur panairi kishte shumë botues, ata të shkretët veç vinin i “kullotnin” sytë nëpër libra, se pjesëmarrjen e kishin të pamundur. Kështu që, për shkak të gjendjes së tashme, njoftimeve e statistikave të pasakta e pakënaqësive të shumta të botuesve që i shprehën edhe në portale lajmesh e kronika televizionesh këto katër ditë, ShBK do të duhej të tkurrej përditë. Dikush aty duhet të japë llogari. Dikush aty ka përgjegjësi. Dikush aty duhet të flasë. Duhet të thotë se, përpos rënies së interesimit të botuesve e të lexuesve për pjesëmarrje dhe vizita, janë shkurtuar edhe ditët e panairit. Na ishin gjashtë, janë bërë pesë. Në të ardhmen mund të shkurtohet edhe për një dhe pas një kohe, kur në Panairin e Librit në Prishtinë do të marrin pjesë jo rreth njëqind, por rreth dhjetë botues, portave të panairit do t’u vihen prangat krejt. Nuk do t’ua vë shteti, por mileti, i cili, kur shkon sheh se gjysma e botuesve sivjet nuk kanë marrë pjesë, e qet këtë punë dhe e lë krejt. Nuk ia mësynë panairit të librit, por ndonjë pune të hairit.

Prandaj, lexues, ju mbani mend edhe këtë më poshtë e ata, organizatorët, sa më parë duhet të mbledhin mend po qe se duan t’i mbajnë hapur portat e panairit edhe ndonjë vit:

Kjo shoqatë që 26 edicione nuk i ka 26 anëtarë e Kosova që 27 vjet i ka mbi treqind botues. Botues, sa të duash. Shoqata nuk i ka as 16 anëtarë. Gjashtë, mbase! Që 26 edicione nuk i ka mbajtur gjashtë tryeza për krizën e librit. Nuk e ka mbajtur asnjë. Me kë ta mbajë? Kë të thërrasë? S’ka anëtarë. ShBK dëshiron t’i shohë botuesit bashkë vetëm një herë në vit, në Panairin e Librit, sa për të mbledhur para nga MKRS dhe prej tyre, pastaj t’i bëjë pikë e pesë. Sa më të përçarë t’i shohë e t’i bëjë, vetë më jetëgjatë bëhet. Nga “lama” e saj, njëherë e një kohë, njëfarë polici e nisi dhe e bitisi një panair alternativ sa hap e mbyll sytë. Nijetin e mirë, por takatin dhe energjinë e vogël. Jetëshkurtër. Dhe meqë e lëshoi bajrakun, iu bashkëngjit llavës së ShBK-së pas disa vjetësh. Mezi, pas “alternativës” e “kryengritjes”, ShBK-ja ia hapi dyert dhe ai i curri veshët. Ai e nja katër a pesë të tjerë, nis e sos, që nga dita e parë e edicionit të 23-të e të 24-t të panairit, nga mëngjesi në mbrëmje shprehnin pakënaqësi për organizimin e dobët të panairit të librit nga ShBK-ja dhe për gjobën e rëndë prej saj pa mundësi ankese prej botuesve. Ama kurrë s’e bojkotuan pjesëmarrjen në panair, nuk i shprehën pakënaqësi ShBK-së për hapësirën e ngushtë, të keqe, të ndyrë. Për gjobën. Për purgatorin. Për ferrin. Për vendin që s’ka parajsë të cilën e ëndërrojnë autorët, botuesit, pastaj lexuesit. Me një konstatim të çeliktë, panairi parajsë është vetëm për ShBK-në, ndërkaq për lexuesit portë e ngushtë dijeje që po shembet para syve të tyre për fajet e organizatorëve. Dhe një ndër fajet e shumta të tyre është ky: Sapo Panairi i Librit përfundon dhe çmimet e panairit (pa asnjë metelik në zarf, pa asnjë vlerë dhe pa asnjë mbledhje të statistikave nga shitja, pëlqimi dhe vlerësimi) jepen për autorët e shtëpive botuese, aktiviteti i saj pushon një vit. Nis vetëm kur MKRS hap thirrjen për ngjarjet kulturore. Ja po bëj edhe një pyetje të dytë, pas së parës për numrin e vizitorëve që bëra që nëntë minuta. Si i dha juria çmimet e sivjetme? Kush nga ShBK mblodhi statistika nga botuesit për shitjen e librave? Mua, kur me “Armagedonin”, jo në Harmagedon, por në Panairin e Librit të ShBK-së në Prishtinë merrja pjesë, nuk më pyeste askush prej “udhëheqësve” e të “deleguarve” të saj, cilat veprat/libra të shtëpisë sime janë shitur më së shumti, janë komentuar më së shumti, janë sharë më së paku. Asnjë formular s’ma kanë ofruar për plotësim, për të marrë statistika të shitjes. Prandaj çmimet e panairit, që prej edicionit të parë e deri te ky i sivjetmë, janë çmime koti. Ende pa përfunduar panairi, çmimet jepen. Dhe kot mburren autorët që kapin “pllakatet” në duar, bëjnë fotografi, buzëqeshin, mburren dhe ndihen të nderuar. Do të duhej të ndiheshin të turpëruar, sepse lajmi u kumtohet më herët. Aty s’ka garë ashtu situ siç nuk ka befasi. Dmth., nuk matet vlerësimi i publikut, por merret parasysh rekomandimi i organizatorit për jurinë. Dhe ta keni të qartë ju që ndonjëherë keni pasur qejf ta merrni një çmim të tillë, çmim nderues e vlerësues, se çmimet e ShBK-së as nuk ia shtojnë vlerën veprës, as autorit, as botuesit. Dëm mund t’u bëjnë të tria palëve përnjëherësh.

Pak para fundit, edhe këto fjalë sa për të marrë një përgjigje prej ndokujt që analizon numra dhe hapësira: ShBK, po jua kujtoj sërish, edhe vjet, edhe parvjet, edhe çdo vit tjetër, kumtonte se pjesëmarrës në panair janë rreth njëqind shtëpi botuese. Nëse vitin e kaluar dhe parvjet kanë qenë rreth njëqind shtëpi botuese pjesëmarrëse, një pjesë e madhe e të cilave ishin të vendosura nën tenda në platenë e Pallatit të Rinisë, si ka mundësi që ato që ishin jashtë, rreth tridhjetë prej tyre, të futen brenda pallatit e të mbesin prapë rreth njëqind shtëpi botuese?! I zuri? Asnjë mundësi nuk ka sepse nuk ka pasur kurrë. Jo, paska, në ndonjë katalog mund të përfshihen qindra mijëra emra botuesish e veprash. Mungesën e dhjetëra botuesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, të cilët e kanë bojkotuar pjesëmarrjen për shumë nga këto arsye në këtë opinion e që përtojnë t’i shprehin sikurse unë, ShBK-ja ishte përpjekur ta fshehë e ta mbulojë duke lënë korridore më të gjëra e duke mbledhur librarë, jo vetëm botues. Dhe krejt në fund, ShBK-ja prangat për portat e panairit i ka sjellë deri te plateja. Nëse dikush aty në ShBK nuk reflekton sivjet për krejt këto që i shpreha, viti i ardhshëm do të jetë më i mbrapshtë për librin, botuesit, lexuesit, veçanërisht për ShBK-në!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet iraniane kanë deklaruar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e…