Heroi i Kepit të Gjelbër që pushtoi globin në Kupën e Botës 2026
Një nga bukuritë e Kupës së Botës 2026 është fama që po përjetojnë lojtarë që deri dje ishin pothuajse të panjohur, por që tani po shkëlqejnë në skenën më të madhe të futbollit, duke përfaqësuar kombëtare që konsiderohen si “hirushja” e turneut.
Askush nuk e ilustron më mirë këtë fenomen sesa portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha. Heroizmat e tij kundër Spanjës, në barazimin 0:0, e kthyen 40-vjeçarin në një sensacion të vërtetë, ndërsa numri i ndjekësve të tij në Instagram u rrit në mënyrë marramendëse brenda pak orësh, shkruan The Independent.
I habitur dhe duke qeshur nga mosbesimi, Vozinha pa sesi 50 mijë ndjekësit e tij u shndërruan në më shumë se një milion. Vetëm 24 orë pas ndeshjes, kjo shifër kishte arritur në 10 milionë. Për krahasim, ai tashmë ka më shumë ndjekës sesa ylli francez i NBA-së, Victor Wembanyama (6.2 milionë), apo quarterback-u i NFL-së, Patrick Mahomes (6.4 milionë).
“Çmenduri, kjo është çmenduri”, është shprehur Vozinha për kanalin brazilian në YouTube, CazeTV, pas ndeshjes që e shndërroi atë në një nga emrat më të përfolur të Kupës së Botës deri më tani.
Megjithatë, emocionet e Vozinhës nuk kishin të bënin vetëm me historinë që ai dhe Kepi i Gjelbër po shkruanin në fushë. Ai u përlot edhe për mungesën e nënës së tij në stadium, e cila nuk kishte mundur të udhëtonte për shkak të problemeve me vizën.
Nga një portier pak i njohur i një kombëtareje të vogël, Vozinha është shndërruar brenda pak ditësh në një nga figurat më të dashura dhe më të njohura të Kupës së Botës 2026.



