Mbappe: Messi dhe Ronaldo janë më të mirët në botë

22 qershor 2026 | 11:11

Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe, ka deklaruar se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo mbeten dy prej futbollistëve më të mirë në botë gjatë Kupës së Botës 2026, duke minimizuar krahasimet me veten dhe duke theksuar se prioriteti i tij është suksesi i kombëtares franceze.

Gjatë një konference për medie, sulmuesi i Real Madridit është pyetur për garën mes yjeve më të mëdhenj të futbollit, si dhe për mundësinë që të thyejë rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e Botërorëve.

“Messi është lojtari më i mirë, së bashku me Cristianon, kjo është e qartë. Unë po përpiqem vetëm ta ndihmoj ekipin tim të fitojë një tjetër Kupë Bote. Të gjitha të tjerat janë tema për gazetarët”, ka deklaruar Mbappe.

Francezi ka shtuar se nuk mendon për rekorde individuale apo rivalitete me sulmues të tjerë, pasi fokusi i tij është te ndeshja e radhës dhe objektivat e kombëtares.

“E dija që Leo do të shënonte, sepse ai gjithmonë shënon. Nëse realizon gola, afrohesh me rekordet, por për mua gjëja më e rëndësishme është të fitojmë Kupën e Botës”, është shprehur ai.

Mbappe ka folur edhe për evolucionin taktik të futbollit modern, duke vlerësuar ndikimin që skuadrat fituese kanë në mënyrën se si luhet loja.

“Skuadrat që fitojnë gjithmonë bëhen shembull për të tjerët. Dikur të gjithë donin të kopjonin Barcelonën, më pas Real Madridin dhe tani PSG-në. Por futbolli i kombëtareve është krejtësisht ndryshe”, ka theksuar sulmuesi francez.

Franca tani po përgatitet për ndeshjen e radhës ndaj Irakut, pasi e nisi Botërorin me fitore 3:1 kundër Senegalit. Mbappe ishte protagonisti kryesor i asaj sfide me dy gola dhe pritet të udhëheqë sërish “Les Bleus” në kërkim të kualifikimit në fazën eliminatore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kupa e Botës 2026 ka tejkaluar çdo parashikim dhe ka…