PZAP-i refuzon ankesat e Haxhiut dhe Kryeziut për rinumërim të plotë të votave të PDK-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuara ankesat e kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të këtij subjekti politik.
Vendimet e PZAP-it janë marrë pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta.
Sipas vendimeve, PZAP-i ka vlerësuar se pretendimet e kandidatëve nuk janë mbështetur me prova konkrete që do të dëshmonin ekzistimin e parregullsive sistematike gjatë procesit të numërimit. Po ashtu, ndryshimet e evidentuara gjatë rinumërimit nuk kanë cenuar integritetin e përgjithshëm të procesit zgjedhor.
Në vendimin lidhur me ankesën e Bekim Haxhiut, PZAP-i ka theksuar se rinumërimi i 185 vendvotimeve është realizuar si pjesë e mekanizmit kontrollues të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si rezultat i konstatimit të parregullsive sistematike.
Haxhiu kishte argumentuar se pas rinumërimit ishin evidentuar gjashtë vota shtesë në favor të tij dhe se diferenca me kandidatin e renditur para tij ishte 102 vota. Për këtë arsye, ai kishte kërkuar verifikimin e plotë të numërimit të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në të gjitha vendvotimet.
Megjithatë, PZAP-i ka konstatuar se ankuesi nuk ka identifikuar vendvotime konkrete ku mund të dyshohej për parregullsi dhe nuk ka paraqitur prova materiale që do të mbështesnin pretendimet e tij.
“Pretendimi i ankuesit se mund të ekzistojnë gabime edhe në vendvotimet e tjera mbetet në nivel supozimi dhe nuk mbështetet në prova konkrete”, është thënë në arsyetimin e vendimit.
PZAP-i ka vlerësuar gjithashtu se diferenca prej 102 votash, edhe pse mund të jetë e rëndësishme për interesin individual të kandidatit, nuk përbën bazë ligjore për urdhërimin e një rinumërimi të përgjithshëm.
Në një vendim tjetër, PZAP-i ka refuzuar edhe ankesën e kandidatit tjetër të PDK-së, Qëndrim Kryeziu.
Kryeziu kishte pretenduar se rinumërimi i 185 vendvotimeve kishte sjellë 589 vota shtesë në favor të tij dhe se kjo krijonte dyshime për saktësinë e numërimit edhe në vendvotimet që nuk ishin përfshirë në proces.
Por, PZAP-i ka arritur në përfundimin se rezultatet e rinumërimit nuk kanë treguar ndonjë model sistematik të pasaktësive, pasi ndryshimet në vota janë shpërndarë në të dyja drejtimet, me kandidatë që kanë fituar dhe të tjerë që kanë humbur vota.
Paneli ka theksuar se një masë e jashtëzakonshme, si rinumërimi i plotë i votave preferenciale në nivel vendi, nuk mund të urdhërohet mbi bazën e pretendimeve hipotetike, por vetëm kur ekzistojnë prova objektive për cenim serioz të procesit zgjedhor.
Për rrjedhojë, PZAP-i ka vendosur që të dyja ankesat të refuzohen si të pabazuara.



