SIMBOLI I UÇK-SË NUK E KA VENDIN NË PROTESTAT E TIRANËS!
Kush është zëdhënësi i protestave në Tiranë, faqeziu Dritan Goxhaj?
Në rastin e njërit nga aktet më të shëmtuara që ndodhi dy ditë më parë, ku një “lavire e maskuar politike” hoqi flamurin hebre në ambasadën e Izraelit në Tiranë, në ditën e 22-të “grupi koordinues i protestës” nxorën faqen e zezë, duke autorizuar Dritan Goxhajn të bëhet zëdhënës i tij.
Sado legjitime të jetë shprehja e pakënaqësive nga ana e qytetarëve në Republikën e Shqipërisë, përzgjedhja e një shpirti mercenar për të qenë zëdhënës i protestës është domethënëse për natyrën e “Shqipërisë së re” që e dëshiron “grupi koordinues i protestave”.
Duke parë manipulimet për “pjesëmarrjen e Goxhajve në luftën çlirimtare të Kosovës”, më është dashur të bëj disa reagime publike në cilësinë e njërit nga 6 përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër mercenarëve dhe matrapazëve të tillë.
[Të interesuarit për përmbajtjen e këtyre shkrimeve mund t’i gjejnë në internet: “Shtatorja e Gjergj Kastriotit dhe Sindromi i Fregolit” (5 shtator 2024); “Logorreja dhe ‘kapsllëku’ i ideve konstruktive!, (11 shtator 2024); “’Llogjika’ serbe e manipulimit me citatet e Moikom Zeqos dhe logorreja allagoxhaj” (21 shtator 2024); “Mercenari Dilaver Goxhaj përhap sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë!” (4 tetor 2024)…]
Për të shmangur përsëritjen e gjërave që kam thënë më parë, në këtë reagim do të kufizohem në abuzimin që i bëhet loges së UÇK–së nga mercenarët e llojit të Goxhajve.
Meqenëse në disa shkrime dhe publikime në rrjetet sociale, matrapazi Dritan Goxhaj prezantohet si “luftëtarë i UÇK-së”, po e publikoj njoftimin që në emër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Gashi (Komandant Plaku) ka bërë për Dritan Goxhajn njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Gashi (Komandant Plaku).
Teksti i plotë i njoftimit:
***
Qeveria e Përkohshme e Kosovës
Ministria e Mbrojtjes
Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Kukës, 21.04.1999
NJOFTIM
Drejtuar: Shtabit të Operacionit “Shigjeta”
Lënda: Njoftim për Dritan Goxhaj
Më datë 14 Prill, 1999 në qendrën stërvitore të UÇK-ës në Helshan, erdhën si vullnetar në luftë për çlirimin e Kosovës katër oficera të Ushtrisë Shqiptare dhe konkretisht [pjesë e mbuluar]. I solli me një kerr Dritan Goxhaj. [Pjesë e mbuluar]
Kur Dritan Goxhaj u largua për në Tiranë, shokët e tij që erdhën vullnetar, i thanë: “Po ti nuk do të qëndrosh me ne, në luftë për çlirimin e Kosovës?” Djali i Dilaverit me një mendjemadhësi të tepruar u përgjigj: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftë në Kosovë”. Vullnetarët e ardhur nga perëndimi, u indinjuan nga përgjigjja që ai dha, por nuk patën mundësi të reagonin, sepse Dritan Goxhaj ndezi kerrin dhe u largua menjëherë, nga qendra stërvitore në drejtim të Tiranës.
Komandant Plaku
(Nënshkrimi)

***
Sa i përket kushteve të pjesëmarrjes së babait të Dritanit (Dilaver Goxhajt) në luftën çlirimtare të Kosovës dhe parave që ka marrë, lexuesi mund të njihet pjesërisht nga shkrimet e publikuara para dy vjetësh.
Janë pikërisht lloji i këtyre matrapazëve mercenarë që abuzojnë me logon e UÇK-së në protestat e Tiranës.
Logoja e UÇK–së është simboli historik që mishëron përpjekjet më sublime të popullit shqiptar për çlirimin e territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Maqedonia. Ky simbol nuk e ka vendin as në protesta kundër e as në manifestime pro pushtetarëve në Tiranë.
Ftoj të gjitha organizatat e dala nga tri luftërat çlirimtare që të distancohen nga keqpërdorimi i simbolit të UÇK-së.
Një pjesë e mirë e opinionit publik shqiptar më njeh për mospajtimet që kam shprehur publikisht ndaj kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama për “Mini–Shengenin”. Mirëpo mospajtimet e mia rreth kësaj çështjeje nuk mund të më bëjnë të hesht kur shoh mercenarët e shërbimeve të ndryshme antishqiptare të vihen në ballë të mobilizimeve për një “Shqipëri të re”. Në kontekst të daljes në sipërfaqe se faqeziu Dritan Goxhaj është zëdhënës i “grupit koordinues të protestës”, gjërat u qartësuan se çfarë “Shqipërie të re” dëshirojnë të ndërtojnë ata që mbështesin Rusinë e Putinit në luftën gjenocidale kundër Ukrainës; ata që antiamerikanizmin dhe kundërshtinë e vlerave euro-atlanitike e kanë në shpirt.
Në këtë kontekst, arsyet e ligjshme të pakënaqësive të qytetarëve të Shqipërisë duhet të adresohen në kundërshtim të plotë me ambiciet e “grupit koordinues të protestës”. Në të kundërtën bëhen pjesëmarrës në rrënimin e Shqipërisë së planifikuar në kuzhinat antishqiptare.
Bardhyl Mahmuti
Politolog
(Ish-Përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës)



