Kronikë e një dite që do të mbetet në historinë e shtëpisë muze “Ymer Elshani”

23 qershor 2026 | 13:29

Izet Abdyli

Një ditë plot dhimbje, emocion dhe krenari

Ka ditë që Teuta Elshani, vajza e poetit e shkrimtarit Ymer Elshanit në profilin e saj në Fb, ka postuar njoftimin për një aktivitet të tipit “open house” në Shtëpinë Muze “Ymer Elshani”. Ajo ka ardhur enkas nga Amerika për këtë aktivitet natën e 20 qershorit. Të nesërmen bashkëshorti i saj Zenuni, përmes telefoni me ftoj për një kafe, duke më bërë të ditur se së bashku me Teutën me presin te Shtëpia Muze. Me kënaqësi i thashë dhe për 15 minuta arrita aty. Zenuni po pastronte me ujë ambientin para shtëpisë ndërsa Teuta sapo u duk në prak të shtëpisë. I përshëndeta dhe e përgëzova Teutën që ëndrra e saj për Shtëpinë Muze të babait po bëhej realitet. Sigurisht që nuk e fsheha konstatimin tim se deri te realizimi këtij projekti ka ardhur falë këmbëngulësisë se Teutës dhe ky rrugëtim ka qenë me plotë sfida e vështirësi. Rikujtova pastaj çastet kur Teuta pas 20 viteve heshtje, në pritje të institucioneve shtetërore për të bërë ndonjë veprim-inicim apo procedurë në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore në letërsi të poetit Ymer Elshani, ajo filloi nismën për Shtëpinë Muze të poetit. Shumë natyrshëm bisedoi në instanca komunale e deri në Ministri. Fatkeqësisht kërkesa saj fillimisht u refuzua me arsye banale kinse procedurale e ligjore. Dhe kur Teuta doli me propozim dhe vendim individual që do ta realizoj projektin me mjete vetjake dhe donatorë, çuditërisht Ministria e Kulturës e gjeti ,,arsyen” edhe ligjore e edhe procedurale dhe mbështeti realizimin e këtij projekti. Dhe e mira është që tashmë shtëpia është e gatshme për vizitor. Së pari i bëmë një vizitë shtëpisë nga dhoma librave të radhitur në rafte, makinën e shkrimit dhe dorëshkrimet e poetit, albumi fotografive dhe një orman me dy pallto , njëra e punës si profesor dhe tjetra e përditshmërisë. Dhoma e dytë më ngjall emocione dhimbje e trishtimi, janë fotot e Ymerit, nënës së tij, bashkëshortes, katër djemve dhe kunatës që armiku i ekzekutoi brenda një dite. Është e vështirë të përmbahesh, por kur shef madhështinë dhe forcën e Teutës ahere sikur merr forcë edhe ti. Një sofër prej druri me simboliken e librit dhe lapsit, mi rikthen kujtimet kur së bashku me Ymerin si Këshill Komunal për Kulturë dhe me Forumin Rinor të LDK-së organizonim manifestimin letrar ,, Sofra poetike e Drenicës”. Teuta duke më vërejtur të përhumbur në këto kujtime propozon të ngjitemi në katin e dytë. Vizitojmë dhomën e Teutës, ajo rrëfen se ishte privilegjuar që si vajzë e vetme krah katër vëllezërve kishte dhomën e saj. Aty ende qëndron shtrati saj i dikurshëm me orendi tjera. Edhe dhoma fjetjes se Ymerit flet shumë, flasin fotot, flasin orenditë, flasin rrobat e djemve të Ymerit që derisa i hap dollapët, Teuta ndonëse me një forcë të jashtëzakonshme më thotë se ende nuk kam marr guxim t’i prek shpalos. E kuptoj thellësisht ndjesinë e motrës për vëllezër. Zbresim poshtë dhe së bashku me Zenunin marrim rrugë te restoranti “n’Hije” për të vazhduar bisedën për skemën e aktivitetit të nesërm. Teuta më bënë një nderë duke më propozuar të jem nesër në cilësinë e Ciceronit në dhomën e librave. E pranoj me kënaqësi, ndonëse ne një drojë a do të mund të iu jap përgjigje të merituara vizitorëve për madhështinë e poetit, ndonëse isha nxënës i tij si gjimnazist e pastaj bashkëveprimtar në vitet 90-ta. Meqë rruga drejt Shtëpisë Muze është paksa e fshehur u propozova të vendosim një tabelë lajmëruese. Është ditë e diel dhe Zenuni sugjeron që të hënën të shikojmë rregullimin e saj. U them mos u brengosni, këtë punë e kryej unë. Pasi bisedojmë edhe për detaje tjera ndahemi për tu ritakuar ne 22 qershor në ora 11.30. Fillimisht me Benin djalin e vëllait të Ymerit vendosim tabelën lajmëruese, ndërkohë që vizitoret kureshtar fillojnë ardhjen edhe para orës 12, ndonëse njoftimi ishte që hapja Shtëpisë Muze për vizitor do jetë nga ora 12-15. Teuta me sugjeron të shkruhem në librin e përshtypjeve. Pas Teutës e Zenunit isha i nderuar të isha i treti në radhë. Nuk gjeta forc të shkruaj më shumë veçse: ,,Izet Abdyli, ish nxënës dhe bashkëveprimtar i poetit”. Ndërkohë vendosem në dhomën e librave dhe pres vizitoret e parë. Vijnë ish-shoqet e shkollës së mesme e të studimeve të Teutës, shkrimtarja Dije Demiri-Frangu (me bashkëshortin Bardhin) e cila sjell një poezi për Ymerin në kornizë. E vendosim pranë pikturës së portretit të Ymerit (punim i piktorit Flamur Vathi nga Shqipëria). Është emocionuese prania e nxënësve të Shkollës fillore ,,Luigj Gurakuqi” të cilët dhurojnë një mbishkrim me emrin e poetit dhe një pikturë e poezi në dorëshkrim. Edhe nxënësit e shkollës fillore ,,Dëshmoret e Qëndresës” nga Tersteniku në përkujdesje të arsimtares Havë Beçiri Mulaj vijnë me një performancë të veçantë me veshje të personazheve të librit ,,Kërpudha magjike” duke krijuar një atmosferë te të pranishmit. Lumi i njerëzve nuk ka të ndalur, vijnë profesor, arsimtar, shkrimtar e ish koleg të Ymerit, dashamirë të letërsisë. Tepër emocionuese ishte prania e dy motrave të poetit Fazli Greiqevci, Halimes dhe Hatixhes të cilat edhe pse me gjendje jo të mirë shëndetësore nuk kishin hezituar të vijnë të nderojnë nipin e tyre të dashur Ymerin. Prania e dy pjestarëve të Familjes Muqolli: Fadilit dhe Elës ishin prekëse dhe mbresëlënëse. E nderuan këtë aktivitet edhe përfaqësues të institucioneve arsimtaret e Shkollës fillore Korroticë e ulët, asamblisti Xhavit Drenori, kryetari Drenasit Ramiz Lladrovci me stafin e tij, pastaj Zonja Saranda Bogujevci, Ministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve, gazetari Zeqir Bekolli, ish-deputetët: Vasfije Krasniqi e Enver Dugolli. Mungojnë vetëm ato që nuk duhet të mungojnë mediat. Mbase vrapi pas çështjeve banale u sjell më shumë klikime se veprimtaria për poetin me fatin tragjik për të cilin duhet sensibilizuar edhe mediat e asociacionet ndërkombëtare. Secili që vizitonte sillte ndonjë kujtim për poetin, ndonjë libër autorial si: Afrim Hysenaj, Murtez Zogu e Hamdi Thaqi. Një dhuratë e veçantë e simbolike ishte nga stafi i Postës së Kosovës me pullën postare të poetit Ymer Elshani. Teuta përkundër angazhimeve, falënderimeve disave prej këtyre vizitorëve u dhuroi libra e komplete të veprave të Ymer Elshanit. Secili që vinte lente mbresat e vizitës në librin e përshtypjeve dhe mbarte ne vete kujtimet përmes fotografive. Orari caktuar deri në ora 15 tashmë kishte kaluar por ne me kënaqësi pritëm vizitorët deri pas orës 16.00. Sigurisht që duhet falënderuar për angazhim në pritjen e mysafirëve të gjithë familjarët e Ymerit, Benin, Rinoren, Veliun e sidomos bashkëshortin e Teutës Zenunin. E veçanta e kësaj dite ishte se akëcili që erdhi solli kujtimet më të mira për poetin, por edhe mori me vetë kujtime të veçanta. Sigurisht që merita kryesore i takon ideatores dhe bartëses së këtij aktiviteti vajzës së poetit, Zonjës Teutë Elshani. Kështu u përmbyll një ditë e zakonshme për sot, por që në distancë kohore dita e 22 qershorit me simbolikën e ditës së verës do mbetet një ditë historike e fillimit të veprimtarisë së Shtëpisë Muze ,,Ymer Elshani”.

 

22 qershor 2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti GAP, në kuadër të projektit “Politikat Industriale të Gjelbra…