Trump e quan “pa kuptim” votimin e Senatit për kufizimin e kompetencave të tij në luftën me Iranin
Presidenti amerikan Donald Trump e quajti të martën në mbrëmje votimin e Senatit për kufizimin e kompetencave të tij në luftën me Iranin “të keqkohëzuar dhe pa kuptim”.
Ai shtoi në një postim në Truth Social se Senati, duke miratuar rezolutën, “i ka dhënë ndihmë dhe ngushëllim Armikut”.
Rezoluta e udhëzon presidentin t’i tërheqë forcat ushtarake nga konflikti me Iranin, një qortim i rëndësishëm ndaj Trumpit dhe një mesazh i fortë se lufta nuk gëzon mbështetje në Kongres.
Trump kritikoi ashpër anëtarët e partisë së tij që votuan në favor të rezolutës.
“Katër humbës republikanë votuan me Dumokratët, dhe Irani i pyeti njerëzit e mi: ‘çfarë do të thotë e gjithë kjo?’ Këta senatorë sapo ma kanë vështirësuar punën, por unë do ta kryej atë, në një mënyrë ose në një tjetër, sepse gjithmonë ia dal!”
Senatorët republikanë Rand Paul, Susan Collins, Lisa Murkowski dhe Bill Cassidy iu bashkuan demokratëve duke votuar për rezolutën, ndërsa senatori demokrat John Fetterman votoi kundër saj. Rezultati përfundimtar ishte 50 me 48.
Masa ishte miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve më herët këtë muaj. Por, duke qenë se është ajo që njihet si rezolutë e përbashkët (concurrent resolution), ajo nuk kërkon nënshkrimin e presidentit dhe, sipas përkufizimit, nuk ka fuqi ligjore detyruese.



